|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet seanca në rastin e ish-zyrtarit të Komunës së Obiliqit, të akuzuar për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Musli Shala, ish-zyrtar i gjendjes civile në Obiliq, po akuzohet për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Deri tek dështimi i seancës ka ardhur për shkak të mungesës së të pandehurit Shala, mungesë të cilën e ka arsyetuar djali i tij Y.Sh , kjo për shkaqe shëndetësore të pandehurit.

Gjyqtari i rastit Gazmend Bahtiri deklaroi se i ka caktuar poashtu një mbrojtës sipas detyrës zyrtare të pandehurit, duke marrë parasysh që i pandehuri nuk ka të angazhuar mbrojtës, shkaku i kushteve ekonomike.

Seanca u shtye për datën 23 prill, nga ora 09:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore më 23 dhjetor 2021, i akuzuari Musli Shala, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Obiliq, po akuzohet se më 04 tetor 2016, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, në regjistrin e sistemit elektronik të gjendjes civile ka shënuar të dhëna të rreme me qëllim që personit Eduart Canameti, t’ia mundësojë marrjen e dokumenteve personale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Shala ka bërë ndërhyrje në të dhëna personale të personit me nr. rendor 11 te vitit 1973, në librin amëz të gjendjes civile të Komunës së Obiliqit, duke regjistruar personin Eduart Canameti dhe duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin Administrativ 01/2015, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe me pas ia ka lëshuar certifikatën e lindjes këtij personi.

Për këtë veprim, Shala ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 paragrafi 1 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Tutje, Shala po akuzohet se edhe me 04 korrik 2019, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në cilësinë e personit zyrtar të Gjendjes Civile në Obiliq, në regjistrin e sistemit elektronik të gjendjes civile ka shënuar të dhëna të rreme me qellim që personit Eldin Dergjini, t’ia mundësojë marrjen e dokumenteve personale të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që ka bërë ndërhyrje në të dhëna personale të personit Ferdi Berisha, i cili ka qenë i regjistruar në regjistrin themelor të lindjes me numër vijues 8 për vitin 1986.

Shala po akuzohet se me një dëshmi-dëftesë të pagesës së shërbimeve komunale të falsifikuar-dëshmi e pagesës së energjisë elektrike, e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile personin Eldin Dergjini shtetas i Shqipërisë, duke mos e përfillur vendimin nr.422/19 të datës 17.01.2019, në bazë të cilit është dashur t’i kërkohet dokument identifikues me fotografi kur pala pajiset me dokument të Republikës së Kosovës.

Në vazhdim, sipas aktit akuzues thuhet se Shala, në bazë të kësaj dëftese, ia ka lëshuar ekstraktin e lindjes personit Eldin Dergjini, duke i mundësuar që pastaj me të dhënat Ferdi Berisha, personi Eldin Dergjini me 30 korrik 2019 ka aplikuar për dokumentet e Republikës së Kosovës dhe 07 gusht 2019, është pajisur me letërnjoftimin dhe pasaportën e RKS-së në Qendrën e Regjistrimit në Mitrovicën Veriore.

Me këtë, Shala akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 paragrafi 1, lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter