Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, është shpallur aktgjykim dënues ndaj Lorenc Marleku, Nazif Gashi dhe Ali Gashi që të tre të akuzuar për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Shpallja e këtij aktgjykimi për këtë rast u bë të hënën, nga gjyqtari Sami Sharraxhiu, raporton ‘’Drejtësia Sot’’.
I akuzuari Lorenc Marleku u dënua me dënim unik, me burgim në kohëzgjatje prej 5 vite si dhe dënim me gjobë në shumë prej 4500€.
Tutje, i akuzuari Ali Gashi është dënuar me dënim unik, me burgim në kohëzgjatje prej 4 viteve si dhe dënim me gjobë në shumë prej 3000€.
Si dhe i akuzuari Nazif Gashi u dënua me dënim unik, me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite si dhe dënim me gjobë në shumë prej 2500€.
Gjithashtu secilit veç e veç gjykata iu ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbime publike në kohëzgjatje prej 3 vite.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të pandehurit Lorenc Marleku në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit si dhe i pandehuri Ali Gashi në cilësinë e udhëheqësit të sektorit të ndërtimit dhe banimit në Komunën e Klinës si bashkryerës tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke lëshuar leje ndërtimore për mbindërtim në kundërshtim me ligjin e ndërtimit.
Ndërsa sipas akuzës i pandehuri Nazif Gashi në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Klinës, nuk i përmbush detyrat tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke vepruar në kundërshtim me ligjin e ndërtimit, udhëzimin administrativ për mbikqyerje si dhe ligjin për inspektorat.
Që të tre të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘’keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi