Në Gjykatën Themelore në Prishtnë- Departamenti i Krimeve të Rënda, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Sadik Tahiraj për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka konstatoi se prezentë në këtë seancë ishte Prokurorja e Shtetit Shenaj Berisha, i akuzuari Sadik Tahiraj me mbrojtësin e tij.
I akuzuari Sadik Tahiraj theksoi se nuk e pranon fajësinë dhe ndihet plotësisht i pafajshëm.
Seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të Prokurores së Shtetit e cila theksoi se aktakuza është mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme, ku ka propozuar që të dëgjohet përfaqësuesi i Komunës, dy dëshmitarë dhe të administrohen provat materiale si në aktakuzë.
Avokati mbrojtës i të akuzuarit Sadik Tahiraj Av.Blerim Qela theksoi se qëndron në tërësi në fjalën hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.
Pasi dëshmitari B.K ishte paraparë të dëgjohet në këtë seancë mirëpo i njëjti nuk ishte prezentë, gjyqtari Beka ka konstatuar se nuk ka kushte për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, andaj seanca e sotme ndërpritet, seanca e radhës caktohet me datë 19.06.2024 në ora 9:15.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.
Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.
Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “ Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015 me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes të pandehurit dhe firmës së lartcekur.
Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc , ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Jon Ramadani