|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Miratohen në parim ndryshimet në Ligjin për KPK-në

Amandamentet e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, sot janë miratuar në parim nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Nga komunikata për media bëhet e ditur se anëtarët e Komisionit dhanë komentet për këto amandamente, ku fokusi kryesor i tyre ishte tek rritja e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial, nga 13 sa ishin, në 19 anëtarë, gjë e cila ngjalli debat dhe mospajtime në mes të anëtarëve të opozitës dhe të pozitës.

Pas shterimit të diskutimeve, me gjashtë vota për dhe vetëm një kundër, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës u procedua për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.

Kujtojmë që ky Projektligj fillimisht ishte miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më datë 14 korrik 2023, e më pas është proceduar në Kuvend.

Ndryshe, tentativa e parë për Projektligjin që ndër të tjera parashihte ndryshim të përbërjes së KPK-së nuk e kishte kaluar filtrin e Gjykatës Kushtetuese, e cila më 5 prill 2023, kishte konstatuar se Projektligji paraprak ishte në tërësi në kundërshtim me normat kushtetuese të vendit tonë.

Pas publikimit të Aktgjykimit nga ana e Kushtetueses, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka kërkuar që Ministria e Drejtësisë, si sponzorizuese e Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për KPK-në, ta respektojë në tërësi Aktgjykimin në fjalë dhe që të vazhdojë edhe më tutje me nismën ligjore që ka të bëj me reformat brenda institucionit të KPK-së, duke u bazuar në standardet të cilat i ka vendosur tashmë Kushtetuesja.

GLPS, si organizatë joqeveritare e cila në vazhdimësi ka monitoruar punën e KPK-së, ka vlerësuar e potencuar faktin e mungesës së transparencës, llogaridhënies, efikasitetit të këtij institucioni dhe nevojës për reforma në sistemin e drejtësisë, me theks të veçantë në sistemin prokurorial.

GLPS rithekson se reformimi i sistemit të drejtësisë duhet të jetë në linjë me ndryshimet ligjore që janë në përputhje të plotë me parimet dhe dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter