|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

KGJK liron nga përgjegjësia disiplinore gjyqtaren Lela Petkoviq

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), përmes vendimit disiplinor të datës 28 korrik 2023, ka vendosur që të lirojë nga përgjegjësia disiplinore gjyqtaren e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Lela Petkoviq.

Procedura disiplinore ndaj gjyqtares Petkoviq kishte filluar me pretendimin se në një çështje gjyqësore ajo kishte tejkaluar të gjitha afatet ligjore pa thirrur seancë gjyqësore, pavarësisht që ishte dorëzuar kundërshtim e më pas edhe ishin parashtruar dy urgjenca për trajtim të këtij kundërshtimi.

Këto parashtresa ishin dorëzuar nga pala në këtë çështje gjyqësore më datë 26 prill 2022, pasi gjyqtarja në fjalë kishte nxjerrë vendim për masën e sigurisë së përkohshme me 6 prill 2022.

Në këtë situatë, parashtruesi i kundërshtimit dhe i dy urgjencave kishte dorëzuar tek Autoriteti Kompetent (kryetari i gjykatës) ankesën disiplinore ndaj gjyqtares Petkoviq me pretendimin se ka kryer shkeljen disiplinore “Në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë, siç kërkohet me ligj”.

Për të vërtetuar këtë çështje disiplinore, KGJK në vendimin disiplinor thekson se ka administruar provat e rastit përfshirë edhe raportet e panelit hetimor dhe në bazë të tyre nuk ka mundur të vërtetojë datat e sakta se kur gjyqtarja Petkoviq ka pranuar përmes sistemit SMIL dhe në kopje fizike, urgjencat dhe kundërshtimin e parashtruar nga ana e ankuesit.

Më 28 korrik 2023, kryesuesi i panelit hetimor në seancën e dytë dëgjimore kishte deklaruar se nga Gjykata Themelore në Ferizaj nuk është konfirmuar data e saktë e pranimit të parashtresave nga ana e subjektit të hetimit disiplinor, ndërsa gjyqtarja Petkoviq mohoi që të ketë qenë në dijeni për këto parashtresa para fillimit të procedurës disiplinore ndaj saj.

Prandaj, Këshilli thekson se në seancën për këshillim dhe votim, në mënyrë unanime, konstatoi se në mungesë të provave me të cilat do të ishte konstatuar data e pranimit të parashtresave të lartcekura nga gjyqtarja Petkoviq, vendosi që ajo të lirohet nga përgjegjësia për shkeljen disiplinore “Në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë, siç kërkohet me ligj”.

Kujtojmë që lidhur me këtë cështje disiplinore, KGJK më datë 24 janar 2023 kishte themeluar panelin hetimor që kryesohej nga gjyqtari Luan Berisha.

Ky panel kishte prezantuar të gjeturat e hetimit disiplinor në mbledhjet e Këshillit të mbajtura më 23 shkurt dhe 28 korrik 2023.

Në fund, KGJK njofton se pala e pakënaqur me këtë vendim ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme, në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të vendimit./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter