Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dje është shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Ruhan Beha, ish-kryesues i Bordit të “Trafikut Urban”.
“Drejtësia Sot” raporton se në këtë çështje penale, Beha akuzohej për vepër penale “Konflikt interesi”.
Ndërsa, sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku, i akuzuari Ruhan Beha u lirua nga akuza, pasi që nuk u provua se i njëjti kishte kryer veprën penale që i vihej në barrë.
Gjyqtarja e rastit theksoi se pala e dëmtuar Lulzim Rexhepaj udhëzohet në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore.
Gjyqtarja po ashtu bëri të ditur se shpenzimet e procedurës bien në barrë të kësaj gjykate, ndersa pala e pakënaqur ka të drejtë ankese sipas afatit ligjor prej 30 ditësh.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ruhan Beha, akuzohet se në cilësinë e Kryesuesit të Bordit të Drejorëve të NPK “Trafiku Urban”, në Prishtinë, kishte tentuar ta punësojë bashkëshorten e tij, L.B.
Sipas Prokurorisë, nga muaji shtator e deri në muajin dhjetor të vitit 2019, Beha ka kërkuar nga vartësi i tij tani i dëmtuari Lulzim Rexhepaj, i cili kishte pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në ndërmarrjen e lartcekur, përmes komunikimeve verbale dhe elektronike, e veçanërisht përmes sms-ve në “WhatsApp”, ashtu që i demtuari t’ia punësojë bashkëshorten e të pandehurit L.B., në këtë ndërmarrje, ku ishte e angazhuar si praktikante nga ana e Entit për Punësi.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Beha ka kërkuar që të hapet konkursi për pozitën e Zyrtarit të IT e pas shpalljes së konkursit, ka insistuar dhe drejtuar kanosje që bashkëshortja e tij të punësohet në konkursin e lartcekur.
Kur i dëmtuari me datë 23 dhjetor 2019, ka marrë vendim për anulimin e konkursit, i pandehuri ka filluar iniciativën për shkarkimin e tij duke e bërë gati draftin e vendimit për shkarkimin e tij si dhe është kanosur se do e rrah të dëmtuarin.
Sipas veprimeve të përshkruara në aktakuzë, i akuzuari Ruhan Beha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Konflikt i interesit” nga neni 417, par.1, 3 dhe 4 të KPRK-së./Drejtësia Sot