Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor, në rastin ndaj Slladjan Trajkoviq, i akuzuar për veprën penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422, par. 1 të KPRK-së.
Kjo lëndë e kthyer në rigjykim, me aktvendimin e Gjykatës së Apelit e cila kishte anuluar vendimin e Gjykatës Themelore, përfshinë mungesën e mjeteve medicinale dhe materialeve në deponë e Komunës së Graçanicës, në Llapnasellë, e të cilat dyshohen se janë marrë nga i akuzuari, pasi që përgjegjës për deponë akuzohet se ka qenë vet ai si depoist kryesor i deposë së Komunës së Graçanicës.
Në fjalën hyrëse, prokurorja e rastit Dulina Hamiti deklaroi se aktakuza është e mbështetur në prova të mjaftueshme të cilat janë administruar në shqyrtimet e mëhershme dhe se me administrimin e sërishëm të këtyre provave dhe dëshmive do të vërtetohet se i akuzuari Slladjan Trajkoviq ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422, par. 1 të KPRK-së.
Ndërsa përfaqësuesi me autorizim i Komunës së Graçanicës, Negovan Sharanoviq deklaroi se e mbështet fjalën hyrëse të prokurorisë dhe mbetet në tërësi pranë të gjitha deklaratave të dhëna më herët dhe me propozimet e provave të administruara si dhe me kërkesën pasurore juridike të cekur i cili ka të bëjë me kompensimin e dëmit material ndaj Komunës së Graçanicës, në shumë prej 58.021,47 euro.
Pranë fjalës hyrëse të paraqitur në gjykimin paraprak, deklaroi se mbetet edhe i akuzuari Slladjan Trajkoviq dhe mbrojtësi i tij, avokati Ramë Gashi.
Në mungesë të dëshmitarëve të çështjes, Ivica Miqiq dhe Branisllav Preniq, deklaratat e tyre u konstatuan të lexuara nga gjyqtarja e rastit Sulltane Hoti, me pajtimin e prokurores dhe të mbrojtjes.
Në procedurën e administrimit të provave, përveç provave të administruara në seancën e datës 7 shtator 2020, me propozim të përfaqësuesit të Komunës së Graçanicë, si provë trupi gjykues me aktvendim vendosi të administrohet edhe vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së të akuzuarit.
Pas marrjes në pyetje nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Slladjan Trajkoviq, tek pyetjet e prokurores Hamiti, pas konsultimit të të akuzuarit me mbrojtjen, ai vendosi të mbrohet në heshtje në vazhdim të seancës.
‘I propozoj gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit’, deklaroi prokurorja Hamiti, në fjalën përfundimtare të saj.
Që i pandehuri të dënohet sipas ligjit, duket u bazuar në provat e paraqitura në kuadër të shqyrtimit gjyqësor, deklaroi edhe përfaqësuesi i Komunës së Graçanicës, në fjalën përfundimtare të tij.
Ndërsa mbrojtja, kërkoi që i akuzuari Slladjan Trajkoviq të lirohet nga akuza për të cilën është i akuzuar.
Seanca për shpalljen e aktgjykimit në këtë çështje penale, u caktua të mbahet më datë 26 shtator 2023, në ora 13:00.
Sipas atakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari Slladjan Trajkoviq akuzohet se prej muajit dhjetor të vitit 2013 deri me 13 tetor 2014 duke e shfrytëzuar detyrën pasi që ka qenë depoist kryesor në depon e Komunës së Graçanicës e cila ndodhet në fshatin Llapnasellë, në mënyrë të vazhdueshme ka marrë pajisje medicinale si dhe tre ventilator viasys dhe barna të cilat kanë qenë në depon e Komunës së Graçanicës, meqenëse ka qenë i vetmi që ka pas në posedim qelsat e dyerve dhe njëherit ka pasur qasje në këtë obiekt, giatë dhe pas orarit të punës ka bartur me veturën e tij private gjësende të cilat kanë qenë në depo dhe të njëjtat i ka dërguar në drejtim të panjohur, e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti, me ç’rast i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm Komunës së Graçanicës, buxhetit të saj rreth 58,021.47€.
Sipas këtyre veprimeve, Trajkoviq akuzohet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar’ nga neni 422, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Drejtësia Sot
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti