Prishtinë, 25 shtator 2023
Gjatë ditës së sotme, Komisioni për Rekrutim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka filluar vlerësimin e testeve me shkrim në konkursin për 47 pozita për gjyqtarë të gjykatave themelore.
Në testin me shkrim nga lëmia penale dhe civile që u mbajt gjatë fundjavës morën pjesë 185 kandidatë, 96 femra dhe 89 meshkuj.
Kurse, vlerësimin e testeve të kandidatëve po e bën Komisioni Rekrutues i KGJK-së në përbërje nga Qerim Ademaj – kryesues, anëtarët Drita Rexhaj, Vilard Bytyqi, Faton Bajrami Mustafë Tahiri, dhe anëtari rezervë Fahret Vellija.
Sipas Rregullores në fuqi, ky Komision ka afat 5 ditë për vlerësimin e testit me shkrim e më pas të bëj publike rezultat e secilit kandidatë.
Kjo fazë e rekrutimit përbëhet nga detyra penale dhe civile, dhe kandidati mund të poentohet maksimalisht me 66 pikë. Kandidati i cili arrin që të marrë se paku 39 nga 66 pikë, konsiderohet se e ka kaluar me sukses këtë fazë të konkursit.
Kujtojmë që konkursi për 47 gjyqtarë të rinj ishte shpallur më 18 maj 2023, gjatë mbledhjes së 309-të të KGJK-së.
Pesë nga këto pozita janë të rezervuara për kandidatët që vijnë nga komuniteti serb, por këto pozita do të mbesin vakante për shkak se në këtë fazë të konkursit asnjë nga katër kandidatët serb që ishin në testin kualifikues nuk arritën pragun e kalueshmërisë.
GLPS/Drejtësia Sot është duke e monitoruar këtë proces dhe për të njëjtin do të raportojë në vazhdimësi.