|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet eksperti financiar në gjykimin për përvetësimin e mbi 1 milion eurove nga dy zyrtarët e AKPPM-së

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot vazhdoi gjykimi ndaj zyrtarëve të AKPPM-së, Mendim Sojeva e Ganimete Gashi-Ahmeti, të cilët akuzohen nga Prokuroria Speciale për përvetësimin e mbi 1 milion eurove.

Drejtësia Sot” raporton se gjatë kësaj seance u dëgjua eksperti financiar Muhamet Aliu, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në lidhje me ekspertizën financiare, mbrojtësit paraqitën pyetjet lidhur me dokumentacionin që është shërbyer eksperti financiar në përgatitjen e saj.

Sipas ekspertit Aliu, është konstatuar dëm financiar për buxhetin e këtij institucioni për vitet 2014-2018, që është potencuar vlera prej 1.226.919,60 euro.

Sipas ekspertit, në SIMFK janë përfshirë persona të panjohur apo të paautorizuar, dhe se deri tek ky konstatim është ardhur duke u bazuar në raportet, vlerësimet dhe konstatimet e organeve profesionale si forenzika e inteligjencës, të cilët kanë konstatuar se ka ndërhyrje në sistemin e teknologjisë informative.

Në njërën nga pyetjet e mbrojtësve, prokurori i rastit kundërshtoi duke theksuar se kjo pyetje ka tentim të përcakton përgjegjësinë penale, meqë rast gjyqtari Vesel Ismaili kërkoi të riformulohet pyetja.

Po ashtu eksperti financiar në deklarimin e tij para trupit gjykues, paraqiti edhe hierarkinë, përkatësisht procedurën e marrjes së avanseve, e cila theksoi se është procedurë ligjore dhe jo teknike.

Pas dëgjimit të ekspertit financiar, gjyqtari Veseli vendosi që seanca e radhës në këtë cështje penale të caktohet pas marrjes së aktvendimit lidhur me propozimin e njërit nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së siguruar nga ‘Drejtësia Sot’, të përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva po akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, këto avanca i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë-tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave. Për disa prej tyre, thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290 mijë e 430 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avancave, sipas PSRK-së, ishte zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1 milion e 238 mijë e 764 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173 mijë e 305 euro, të cilët zyrtarë kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur fjalëkalimet e tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancat në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj–Veseli, shuma prej 553 mijë e 269 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156 mijë e 750 euro dhe Bali Morina shuma prej 20 mijë e 850 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të fjalëkalimeve të tyre.

Në bazë të dosjes së Prokurorisë, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779 mijë e 289 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra në emër të avancave, për 133 mijë e 940 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avancat e tërhequra në vlerë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, përveç fletëtërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avanca ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva, i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.

Sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri më 12 shkurt 2018, përmes ueb-shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me fjalëkalim të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancat duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morinës.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kuponë shpenzimi në vlerë 20 mijë e 850 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 72 skuponë në vlerë 154 mijë e 736 euro e 84 centë, në shumë të përgjithshme 175 mijë e 586 euro e 84 centë, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Me anë të këtyre veprimeve, Mendim Sojeva po ngarkohet me veprat penale “Përvetësimi në detyrë” në vazhdimësi, nga neni 425, par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së dhe në bashkëkryerje me të akuzuarën Ganimete Gashi–Ahmeti edhe për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike” nga neni 339 par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Drejtësia Sot

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitorues Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter