Lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet sfidë për sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Rastet e kësaj natyre ende karakterizohen me akte akuzuese të mangëta që si rezultat kanë dënime të ulta ndaj kryesve të veprave penale korruptive apo edhe shpalljen e një pjesë të madhe të tyre si të pafajshëm.
Kur flasim për vendimet gjyqësore, të dhënat zyrtare tregojnë se në periudhën janar-qershor 2023, gjykatat kanë shpallur vendime ndaj 100 personave të akuzuar për veprat penale të korrupsionit.
Kësisoj, referuar raportit për veprat penale karakteristike të Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional në kuadër të sistemit prokurorial, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti rezulton se 50% e personave të akuzuar për korrupsion zyrtar janë shpallur të pafajshëm.
Statistikat e këtij raporti tregojnë se 41 nga të akuzuarit për korrupsion janë liruar pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, për katër nga ta është hudhur aktakuza para shqyrtimit gjyqësor ndërsa për pesë të tjerë është refuzuar aktakuza.
Sa i përket statistikave, aktakuzat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë vlerësohen si më të pabazuara për faktin se nga 34 persona të akuzuar për korrupsion vetëm për 14 prej tyre është shpallur aktgjykim dënues ndërsa 20 të tjerë janë shpallur të pafajshëm.
Edhe për aktet akuzuese të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), gjatë periudhës raportuese janar-qershor 2023, gjykatat vendosen për 23 persona të akuzuar, ku 10 prej tyre u shpallën fajtorë kurse 13 të tjerë bëjnë në pjesë në grupin e personave të liruar nga akuza për korrupsion.
Lidhur me aktakuzat e Prokurorisë Themelore në Prizren, ku ishin përfshirë 24 persona të dyshuar për vepra penale të korrupsionit, në periudhën janar-qershor 2023, gjykata i shpalli të pafajshëm 13 persona ndërsa i dënoi 11 të tjerë.
Në periudhën raportuese, gjashtë nga tetë të akuzuarit për korrupsion nga ana e Prokurorisë së Pejës u shpallën fajtorë, ndërsa dy të tjerë u liruan nga akuza. E njëjta statistikë vlen edhe për Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Sa i përket efikasitetit, rezulton se aktakuzat e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës janë më të bazuara për faktin se tre të akuzuarit për korrupsion janë shpallur fajtorë për veprat penale që u viheshin në barrë.
Gjatë periudhës raportuese, sipas Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional gjykatat nuk kanë marrë asnjë vendim lidhur me rastet e korrupsionit që po trajtohen nga Prokuroria e Gjilanit dhe ajo e Gjakovës.
Si shqetësuese tek ankesat e Prokurorive shihet fakti se as në gjysmën e vendimeve të gjykatave të shkallës së parë, prokurorët nuk kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, qoftë ankesë mbi lartësinë e dënimit apo për arsye të tjera.
Statistikat lidhur me ankimimet e Prokurorive për vendimet e gjykatave të shkallës së parë në Gjykatën e Apelit, tregojnë se prokurorët kanë parashtruar 42 ankesa, ku vetëm 6 prej tyre janë aprovuar nga gjykata e shkallës së dytë.
Sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, gjykata shpallë të pafajshëm një të akuzuar nëse: vepra me të cilën i akuzuari akuzohet nuk përbën vepër penale; kur ka rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale; kur nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet; ka kaluar afati i parashkrimit të veprës penale, vepra penale është e përfshirë në falje ose ekzistojnë rrethana të tjera të cilat e pengojnë ndjekjen; i pandehuri dhe i dëmtuari kanë bërë marrëveshje të ndërmjetësimit; nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet në aktakuzë; aktakuza nuk është ngritur brenda afatit ose aktakuza është në kundërshtim me ligjin; Prokurori i shtetit është tërhequr nga akuza nga hapja deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor; i akuzuari për të njëjtën vepër është gjykuar me aktgjykim të formës së prerë; i dëmtuari tërhiqet nga propozimi për vepër penale që nuk ndiqet sipas detyrës zyrtare, përveç nëse gjykata ka prova që vendimi për tu tërhequr është ndikuar në mënyrë të padrejtë nga pala e tretë.
Burimi i të dhënave: Raporti 6 mujor (janar-qershor) 2023 për veprat penale karakteristike të Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional, fq.55, i qasshëm në linkun: https://prokuroria-rks.org/assets/cms/uploads/files/Raporti%20i%20mekanizimit%20p%C3%ABrcjell%C3%ABs%20nd%C3%ABrinstitucional%20p%C3%ABr%20veprat%20penale%20karakteristike%20p%C3%ABr%20periudh%C3%ABn%20janar-qershor%202023.pdf