Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur që ta kthej në rigjykim dhe rivendosje çështjen penale ku përfshihet ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi dhe zyrtarët Ardian Krasniqi, Marigona Berisha dhe Flora Doda.
Sipas aktvendimit të datës 17 tetor 2023, Apeli gjeti se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, i datës 25 prill 2023, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Referuar aktgjykimit të shkallës së parë, Lavdim Krasniqi, Ardian Krasniqi dhe Flora Doda ishin liruar nga akuza për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrimi i ndikimit në vazhdimësi”, si dhe e pandehura Marigona Berisha ishte shpallur e pafajshme për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”.
Kurse, sipas këtij aktgjykimi, Lavdim Krasniqi ishte shpallur fajtor për veprën penale të mos deklarimit të pasurisë dhe ishte dënuar më 14 mijë euro gjobë, në të cilën i është llogaritur edhe paraburgimi prej një muaji dhe arresti shtëpiak prej 4 muajsh.
I pandehuri Ardian Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit, u dënua me dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë, duke ju llogaritur paraburgimi në kohëzgjatje 3 muaj e 24 ditë dhe 35 ditë arrest shtëpiak.
Po ashtu, të pandehurit Ardian Krasniqi i ishte shqiptuar dënimi plotësues “ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike, në administratën publike ose shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve”, pas ekzekutimit të dënimit kryesor.
Gjykata e shkallës së parë kishte urdhëruar që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, vetura e sekuestruar të i kthehet pronares Marigona Berisha.
Por, lidhur me këtë aktgjykim, në Gjykatën e Apelit ishin parashtruar ankesa nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, dhe mbrojtësit e të akuzuarve Lavdim Krasniqi, Ardian Krasniqi dhe Marigona Berisha, duke pretenduar se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të ligjit dhe procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike.
Palët ankuese kishin kërkuar nga Apeli që të aprovojë pretendimet e tyre ashtu që aktgjykimi i themelores të anulohej dhe që çështja penale të kthehej në rigjykim dhe rivendosje.
Kolegji i Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të parashtruesve të ankesave ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë në çështjen penale ndaj Lavdim Krasniqit dhe të tjerëve është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe në vërtetim jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike.
Sipas Apelit, aktgjykimi i atakuar është kundërthënës dhe se gjykata e shkallës së parë nuk i ka vërtetuar e as arsyetuar në masë të duhur elementet e veprave penale që u vihen në barrë të të akuzuarve.
Sa i përket pretendimeve të mbrojtjes së të akuzuarve për shkelje të ligjit penal, Apeli ka theksuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka vepruar drejtë pasi nuk ka asnjë bazë që të akuzuarit të përjashtohen nga përgjegjësia dhe ndjekja penale për faktin se veprat penale për të cilat të akuzuarit janë akuzuar përfshihen në ligjin penal të aplikueshëm.
Prandaj, nga arsyet e lartcekura, Apeli vendosi që çështja penale të kthehet në rigjykim dhe rivendosje, duke e udhëzuar Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda që të mënjanojë të gjitha shkeljet e evidentuara.
Përmes këtij aktvendimi, Apeli e ka udhëzuar Gjykatën Themelore që ta ricaktojë mbajtjen e gjykimit në këtë rast dhe të procedojë me provat të cilat janë propozuar nga ana e prokurorisë, si dhe provat e nxjerra gjatë mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor.
Po ashtu themelores i kërkohet të ndërmerr veprimet që të vërtetojë që në veprimet e të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi a është kryer vepra penale ushtrimi i ndikimit si bashkëkryes, duke pasur parasysh që bashkëkryerja është institut në të drejtën penale, kurse veprimet e ndërmarra a kanë qenë në vazhdimësi dhe cili ka qenë roli i secilit nga këta të akuzuar.
Tutje, Apeli ka kërkuar që gjykata e shkallës të vërtetojë se Lavdim Krasniqi, si drejtor në Sekretariatin e KPK, çfarë roli ka pasur në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në raport më të dyshuarin A.M dhe të akuzuarën Flora Doda.
Shkalla e dytë ka udhëzuar themeloren edhe për vërtetim e rolit të të akuzuarës Marigona Berisha, në veprën penale “Blerja, pranimi, ose fshehja e sendeve të përfituara në kryerjen e veprës penale”, dhe rolit të të akuzuarit Ardian Krasniqi në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të falsifikimit të dokumentit të institutit mikrobiologjik, nga kush është lëshuar, kush e ka nënshkruar dhe si i është dërguar B.M.
Sa i përket të akuzuarit Lavdim Krasniqi, lidhur me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale, ose detyrimeve financiare” Apeli ka theksuar se të gjitha duhet tu nënshtrohen ekspertizave përkatëse, e më pastaj çështjen penale gjykata e shkallës së parë të vlerëson si tërësi dhe të vendos për të njëjtën.
Gjithashtu, Apeli ka kërkuar nga themelorja që të sqarohet roli i A.Z. dhe A.G., sepse janë me rëndësi për të vërtetuar ekzistimin apo mos ekzistimin e veprave penale të akuzuarve në këtë rast.
Kujtojmë që rasti ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, shoferit të tij e tij, Ardian Krasniqi, dhe zyrtareve Flora Doda dhe Marigona Berisha ishte iniciuar në mars të vitit 2021, pas dyshimit për përfshirjen e tyre në aferë korruptive.
Lavdim e Ardian Krasniqi dyshoheshin për pranim të parave dhe dhuratave në vlerë 40 mijë euro nga B.M, duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.
Ardian Krasniqi dyshohet se kishte falsifikuar dokumente zyrtare përkatësisht kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për B.M. me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.
Po ashtu, Prokuroria pretendonte se të njëjtit, duke shfrytëzuar makinën zyrtare kishin mundësuar arratisjen e të akuzuarit A.M nga Kosova në Republikën e Shqipërisë.
Lavdim Krasniqi dyshohej edhe për mos deklarim të pasurisë prej 50 mijë eurosh, kurse se bashkë me të akuzuarën Flora Doda dyshohej edhe mos respektim të procedurave të prokurimit lidhur me tenderin ku kishin porositur dhe pranuar mobile për zyret e KPK-së.
Kurse, e pandehura Marigona Berisha dyshohet për falsifikim të dokumenteve lidhur me blerjen e një veture nga i dyshuari B.M., pavarësisht se ishte në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të kryer nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi./Drejtësia Sot
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruese Leostina Maloku Sejdiu