Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është anuluar seanca gjyqësore ndaj të pandehurit H.H., ish-gjeodet në Komunën e Prishtinës.
I pandehuri H.H., në këtë çështje penale që po gjykohet nga Departamenti për Krime të Rënda akuzohet për veprën penale “Përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Kurse njoftimi për anulimin e seancës së sotme është bërë nga zyrja e gjyqtares së rastit, Mehdie Bytyqi.
Ndryshe sipas aktakuzës, i pandehuri H.H, në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitojë për vete dobi pasurore, kishte marrë autorizimin Vr.nr.2752/98 te dt. 16.07.1998, nga P.M nga Prishtina.
I akuzuari këtë autorizim e kishte marrë lidhur me shitblerjet e ngastrës kadastrale nr. 1893, sipas kulturës arë e klasit të parë në sipërfaqe prej 1.32.05 ha, e cila sipërfaqe e tokës është e regjistruar sipas fletës poseduese nr. 1866 komuna Prishtine.
I pandehuri H.H, këtë autorizim e ka përdorur pas vdekjes se tani ndjerit P.M, i cili ka vdekur me dt.05.11.1999, në atë mënyrë që i pandehuri H.H ka bërë shitje të pronës së lartcekur derisa ishte duke punuar në Drejtorin për Kadastër në pozitën si gjeodet.
Prokuroria pretendon se i pandehuri ka bëre ndarjen fizike te ngastrave për blerësit, e ka ndarë në 18(tetëmbëdhjetë) parcela me pronar te ndryshëm sipas fletave poseduese dhe nga 18 parcelat i pandehuri H.H, 8 (tetë) parcela i ka shitur duke e bere parcializimin e parcelave si dhe të njëjtat ua ka përkthyer blerësve duke e përdorur autorizimin Vr. NR.2752/98, pas vdekjes se P.M.
Me këtë ka kryer veprën penale “Përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës” nga neni 340, par. 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Rinor Bajrami