|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon gjykimi për korrupsion ndaj katër ish-zyrtarëve të komunës së Fushë Kosovës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda është mbajtur seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor ndaj katër ish-zyrtarëve të komunës së Fushë Kosovës.

“Drejtësia Sot” raporton se të akuzuar në këtë rast janë Jakup Tërnava, Liridona Mustafa- Sadiku, Ejup Gërguri dhe Fehmi Mustafa, të gjithë ish-zyrtarë të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë.

Të njëjtit po akuzohen për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Seanca e sotme ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit F.L, i cili ka deklaruar se së bashku me të dëmtuarin B.H, kishin paguar në formë të paradhënies nga 5 mijë euro.

Tutje, i njëjti deklaroj se me të akuzuarit nuk ka ndonjë raport, përvec se i njeh vetëm si zyrtarë të Komunës së Fushë Kosovës.

Në fund të dëshmisë së tij, i njëjti deklaroj se paraqet kërkesë pasurore-juridike dhe se në këtë rast ai është dëmtuar në shumë mbi 90 mijë euro.

Seanca e radhës për këtë çështje penale nga kryetari i trupit gjykues Kushtrim Shyti, u caktua për datën 9 janar 2024.

Sipas aktakuzës, Bekim Sabedini akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin Zoran Ballaban, i cili tani më gjendet në arrati, kanë kryer veprat penale ” Legalizim të përmbajtjes së rreme” si dhe veprën penale ” Falsifikimi i dokumenteve”.

Në aktakuzës, i pandehuri Zoran Ballaban, akuzohet se ka falsifikuar aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, që ka të bëjë me ngastrën kadastrale në Fushë Kosovë në sipërfaqe prej 21379 metër katror, e cila është pronë shoqërore e të dëmtuarës “KBI Kosova Export”, e cila administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si dhe pastaj ka legalizuar me përmbajtje të rreme aktgjykimin e falsifikuar C.nr.1381/90, të datës 30 gusht 1994, tek noteri Skender Dumani, në Komunën e Podujevës.

Ndërsa Bekim Sabedini, me dt. 22 dhjetor 2015 duke marrë autorizim nga i akuzuari Zoran Ballaban, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për parcelën e lartëcekur, i akuzuari Bekim Sabedini me aktgjykimin e falsifikuar dhe vendimin e Komunës së Prishtinës me nr.8029 të datës 14.04.1964, e ka noterizuar aktgjykimin e falsifikuar C.nr.1381/90 të datës 30 gusht 1994 tek noteri Skender Dumani, duke legalizuar përmbajtjen e pavërtetë, duke prezantuar aktgjykimin e lartcekur të falsifikuar të Gjykatës Komunale në Prishtinë, ashtu që i njëjti më datë 19 korrik 2016, ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, për regjistrimin e parcelës me nr. 187/1 dhe arrin të regjistrojë pronën në emrin e personit Bogdan Ballaban.

E akuzuara Liridona Mustafa-Sadiku, në cilësinë e personit zyrtarë, Zyrtare Ligjore në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e saj zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, e njëjta ka tejkaluar autorizimet zyrtare, ashtu që ka nxjerrë aktvendim, me të cilën është aprovuar kërkesa e Bogdan Ballaban, duke mos e verifikuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktgjykimin e lartcekur dhe e njëjta ka marrë të dhëna nga dy aktgjykime ku ngastrën me nr.187/1 e merr nga lënda C.nr.1381/90, kurse numrin e lëndës në sipërfaqe 21379 metër katror, e merr nga lënda C.nr.1381/90, kurse numrin e lëndës në aktvendim e shkruan C.nr.1378/90, aktgjykim lidhur me ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 287.52 ari të cilat Bogdan Ballaban vite më parë i kishte shitur.

Me këtë e akuzuara Liridona Mustafa Sadiku, po akuzohet se ka kryer veprën penale ” Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, i akuzuari Ejup Gërguri sipas aktakuzës akuzohet se në cilësinë e personit zyrtarë, në pozitën e Operatorit Kadastral në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, me qëllim të përfitoj çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër, ka lëshuar certifikatën e pronës në emrin Bodgan Ballaban, edhe pse është bërë revokim i aktvendimit, i nënshkruar dhe i vulosur nga ai dhe i akuzuari Jakup Tërnava.

Po ashtu edhe i akuzuari Ejup Gërguri, akuzohet se ka kryer veprën penale ” Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I akuzuari Fehmi Mustafa, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën e shefit të kadastrit në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtarë, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për veten apo personin tjetër, edhe pse ka qenë në dijeni për revokimin e vendimit për ngastrën kadastrale 187/1, është përpiluar dhe nxjerrë aktvendim për mbajtje, posedim të trashëgimisë në emër të Zoran Ballaban, nga ana e të akuzuarës Liridona Mustafa Sadiku, e vulosur dhe nënshkruar nga i akuzuari Fehmi Mustafa, duke e ditur se ngastra e lartcekur është pronë shoqërore e të dëmtuarës KBI Kosova Export.

I akuzuari Mustafa, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, i akuzuari Jakup Tërnava, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, drejtor në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë Kosovës, duke e shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar, me qëllim që përfitoj çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, nuk e ka verifikuar fare lëndën dhe nxjerrjen e aktvendimit të datës 22 gusht 2016, ku është aprovuar kërkesa e Bogdan Ballaban për ngastrën kadastrale 187/1, duke e ditur se është pronë shoqërore e të dëmtuarës KBI Kosova Expert.

Me këtë, i akuzuari Jakup Tërnava, akuzohet se ka kryer veprën penale ” Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rinor Bajrami

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter