Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin për Krime të Rënda është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Nerimane Kelani-Sherifi dhe Arben Berisha, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, si dhe i akuzuari Ramadan Hasani, për shkak të veprës penale ‘Mashtrimi’.
Të akuzuarit lidhur me akuzat që i ngarkohen nga Prokuroria e Shtetit, u deklaruan të pafajshëm në fillim të seancës.
Ndërsa para fillimit të fjalës hyrëse, prokurori i shtetit Zefë Prendrecaj deklaroi se ka njohje kolegiale nga studimet me të akuzuarën Nerimane Kelani-Sherifi, andaj në bazë të Kodit të Etikës të Prokurorisë së Shtetit e bëri këtë fakt të ditur për trupin gjykues duke kërkuar që të vazhdohet vetëm me fjalën hyrëse, ndërsa për seancat e radhës të zëvendësohet me ndonjë prokuror tjetër.
Lidhur me fjalën hyrëse, prokurori Prendrecaj deklaroi se zyrtarët kanë tejkaluar kompetencat e përcaktuara me ligj, duke nxjerr vendim në favor të të akuzuarit Ramadan Hasani, përkatësisht bartjen e pronësisë nga pronari Xhafer Rexhepi tek i akuzuari Hasani. I njëjti theksoi se nga provat e adminsitruara dhe faktet tjera do të vërtetohet se të akuzuarit janë fajtor.
Fjalën hyrëse të prokurorit të shtetit, e mbështeti edhe mbrojtësi i të dëmtuarit Milazim Rexhepi.
Ndërsa i dëmtuari tjetër në këtë çështje Musa Gashi, deklaroi se nuk ndihet më i dëmtuar pasi i akuzuari Ramadan Hasani i ka kthyer paratë që i dëmtuari i ka dhënë për tokën.
Se aktakuza ka mangësi sa i përket argumentit të pretendimeve mbi veprimet inkriminuese të të akuzuarve, u deklaruan edhe mbrojtësit e të akuzuarve Kelani dhe Berisha, avokatët Arbër Jupolli dhe Nazim Mehmeti.
Në fjalën hyrëse për të akuzuarin Hasani, mbrojtësi i tij, avokati Ibrahim Shala deklaroi se në asnjë mënyrë nuk është arritur të vërtetohet se i mbrojturi i tij është personi mashtrues.
Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet për datën 22 mars 2024, nga ora 09:00.
Ndryshe sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar, e pandehura Nerimane Kelani-Sherifi si udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit dhe i pandehuri Arben Berisha si Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që e pandehura Nerimane Kelani, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me të cilën e ka bërë bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani i pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë”, në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, ku ndër të tjera thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin aktvendim e ka nënshkruar edhe i pandehuri Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e pandehura Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve të të ndjerit Xh.R.
Ndërsa, i pandehuri Ramadan Hasani, akuzohet se me qëllim që vetit ti sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin M.G, e mashtron duke e nxitur të veproj në dëm material të pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, ia ka shitur tokën në sipërfaqe të përgjithshme 11,034 m2, Zona Kadastrale Milloshevë- Komuna Obiliq, për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2000 euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3.250 euro, kurse marrëveshja ka qenë të paguhen 18.000 euro, e ka fshehur faktin se ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë” është e falsifikuar, me ç’rast blerësi, tani i dëmtuari M.G është vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti