|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Është dhënë fjala përfundimtare në seancën ndaj të akuzuarve për Keqpërdorim të detyrës zyrtare

Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj pesë të akuzuarve Zeqir Gashi, Qazim Reqica, Rexhep Gashi, Agron Hajrizi dhe Nazmi Musliu, për Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe Tefik Hargaja, për veprën penale Mashtrimi

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni ka konstatuar se në seancën e sotme prezent ishin të akuzuarit, mbrojtësit e tyre, përfaqësuesi i të dëmtuarës dhe prokurori Halim Borovci.

Palët në procedurë e dorëzuan fjalën përfundimtare me shkrim, mirëpo e elaboruan të njëjtën.

Prokurori Borovci, në fjalën përfundimtare, ndër të tjera, ka deklaruar se pas administrmit të provave, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Andaj në kuptim të kësaj, prokurori ka kërkuar nga gjykata që të njëjtit t’i dënoj sipas ligjit duke marr parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Në anën tjetër, mbrojtja e ka kundërshtuar aktakuzën, duke konsideruar se gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të vërtetohet kryerja e veprave penale nga të akuzuarit.

Në koherencë të kësaj, mbrojtja ka kërkuar nga gjykata që ndaj të akuzuarve të marr aktgjykim lirues.

Në këto rrethana, shqyrtimi gjyqësor është konstatuar i përfunduar, ndërsa shpallja e vendimit do të bëhet me datën 8 shkurt.

Aktakuza e ushtruar në gjykatë në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën, Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare  në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KË nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletëdërgesë dhe në fatura.

Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje, sipas aktit akuzues, me datë kohë dhe vend të njëjtë i akuzuari Hajrizi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e regulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KË nga pozicioni i 33 i të njëjtës kontratë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14KË nga pozicioni i 11 i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15KË me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.

Me këtë, Hajrzi dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa, Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15 të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë  me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.

Me këtë, i pandehuri Hargaja thuhet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter