Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë në Departamentin Special u mbajt seanca ndaj pesë të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione. Të akuzuar në këtë rast janë Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani ka konstatuar se prezent në seancën e sotme ishin prokurori Rafet Halimi, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.
Seanca ka vazhduar dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues B.M.
Dëshmitari bashkëpunues, në dëshminë e tij, ka deklaruar se personat e dënuar, respektivisht Gëzim Morina, Dukagjin Deda, Pashk Krasniqi, Hysni Morina kanë kërkuar që t’i ndihmojë lidhur me problemin e mospërputhjes së fletave poseduese me digjitalizimin.
I njëjti ka shtuar se lidhur me këto kërkesa të personave të lartcekur, është takuar me të akuzuarin Luan Statovci, dhe në bashkëbisedim me të akuzuarin Statovci janë dakorduar për zgjidhjen e këtyre problemeve, duke kërkuar shuma të ndryshme të parave nga të njëjtit.
Në koherencë të këtyre veprimeve, dëshmitari bashkëpunues ka deklaruar se pasi që mjetet janë procesuar nga AZHB, tek personat e lartcekur, atëherë ato janë ndarë në mes të tij dhe të akuzuarit Statovci.
Në këto rrethana, seanca e radhës është caktuar me datën 6 mars.
Sipas aktakuzës si të akuzuar janë Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe ushtrim ndikimi.
Më 15 mars 2023, pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj gjashtë të akuzuarve Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Dukagjin Deda, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi dhe Ramadan Zeqiraj, të akuzuar për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, në rastin “Subvencionet II”, duke i dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Kurse në seancën e 13 marsit 2023, të akuzuarit Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hazir Metaj, kishin pranuar fajësinë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, por jo edhe për veprën penale “Mashtrim me subvencione”. Pranimin e fajësisë për këtë vepër Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga e kishin bërë në seancën e datës 23 qershor 2023, pasi që aktakuza ishte konsideruar e lexuar.
Ndërkaq, të akuzuarit Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hysni Morina, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.
Ndërsa, në seancën e datës 23 qershor 2023, Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hysni Morina të akuzuar për veprat penale “Dhënia ryshfeti” dhe “Mashtrim me Subvencione”, janë dënuar me 27 muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë.
Andaj Gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani