Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, ku zyrtarët policorë Ahmet Kasumaj, Ahmet Shabanaj, Agim Hadërgjonaj, Besim Lokaj, Demë Lokaj, Fatmir Sadiku, Fazli Gjonbalaj, Gani Ahmeti, Gëzim Hoxhaj, Gzim Shabani, Gëzim Turkaj, Haki Dobraj, Hamëz Puka, Hysen Hasani, Isa Dobraj, Ismet Tahiraj, Lush Himaj, Mergim Bekaj, Rasim Tolaj, Skender Meta, Xhemë Hadërgjonaj, Xhevdet Haklaj dhe Valon Hoxha, akuzohen për Korrupsion të kryer në pikën kufitarë Qafë-Morinë.
Fillimisht, gjyqtari Valon Kurtaj ka konstatuar prezencën e palëve në procedure, respektivisht prokurores Florije Shamolli, të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.
Për shkak se të akuzuarit Agim Hadergjonaj, Fatmir Sadiku dhe Valon Hoxha nuk kanë angazhuar mbrojtës, gjyqtari Kurtaj ka konstatuar se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit fillestar.
Në kuptim të rrethanave të lartcekura, gjyqtari ka caktuar seancën e radhës me datën 18 mars.
Sipas aktit akuzues, thuhet se në periudhën kohore, gusht 2021 e deri në janar 2022, në pikën kufitare “Qafë Morinë”, në regjionin e Gjakovës, të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë, atë të policit për mbikëqyrje të kufirit, me dashje dhe në vazhdimësi, individualisht dhe në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Gjithnjë sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë ngarkohen se kishin pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, me qëllim që t’iu mundësohet të hyjnë në territorin e Kosovës.
Andaj, sipas dosjes së PSRK-së, gjithë zyrtarët policorë po akuzohen qoftë individualisht apo edhe në bashkëkryerje me njëri-tjetrin për veprën penale “Marrje ryshfeti”.
Kurse, të akuzuarit Agim Hadërgjonaj, Mergim Bekaj, Ismet Tahiraj, Ahmet Kasumaj, Isa Dobraj dhe Fatmir Sadiku ngarkohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani