Sot, më datë 14 Shkurt 2024, në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca për të akuzuarit Lavdim Krasniqi, Marigona Berisha dhe Flora Doda. Gjatë seancës gjyqësore u bë e ditur, se për të akuzuarin Ardian Krasniqi ishte vecuar procedura.
Të akuzuarit e lartpërmendur, në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, më datë 13 Gusht 2021, janë të akuzuar për veprat penale “Ushtrim i ndikimit”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”.
Trupi Gjykues, i kryesuar nga Alban Ajvazi, në cilësi të kryetarit, dhe Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi, në cilësi të anëtarëve të trupit gjykues, në agjendën e seancës së sotme kishin paraparë dëgjimin e ekspertes së prokurimit publik, B.SH, për sqarimin e ekspertizës së saj. Pyetje për eksperten parashtroj vetëm Prokurorja e Shtetit Arbëresha Shala, e që ishin lidhur me aktivitetet e prokurimit me kontratën e prokurimit për furnizimin me mobilje. Ekspertja e rastit, ka shpjeguar sot se ashtu sic e kishte shprehur në ekspertizë, nuk ka pas shkelje në bazë të dokumentacionit lidhur me zhvillimin e procedurës së tenderimit. Megjithatë kësaj, ekspertja ka deklaruar gjithashtu, në përgjigje të pyetjeve të parashtruara nga Prokurorja e Shtetit, se gjatë ekspertimit të saj ka konstatuar që ka pasur njoftim për kontratë, dosje të tenderit, procedurë deri në nënshkrimin e kontratës dhe pranim të mallit, megjithatë nuk ka pasur faturë, e për të cilën kishte kërkuar përgjigje nga zyrtarët e arkivës brenda institucionit lidhur me faturën e paguar, por nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët e arkivës.
Nga Prokurorja e Shtetit, u propozua nxjerrja e një ekspertize të re të prokurimit publik, duke u thirrur në atë që ekspertja nuk e ka përfunduar në tërësi ekspertizën e saj, lidhur me atë që ende ka pikëpyetje për pranimin e faturës, megjithatë Trupi Gjykues vendosi në refuzimin e këtij propozimi me arsyetimin se vetë Prokuroria e Shtetit ka kërkuar për së dyti angazhimin e një eksperti të prokurimit, ku edhe ekspertiza më pas është përpiluar në bazë të pyetjeve të Prokurorisë. Andaj Trupi Gjykues e ka shprehur si të paarsyshme dhe joekonomike, angazhimin e një eksperti të tretë.
Trupi Gjykues me fillim të seancës së sotme kishte deklaruar që administrimi i provave kishte përfunduar në seancën paraprake, dhe për sot kishte mbetur vetëm dëgjimi i ekspertes. Andaj edhe për këtë është kaluar në fjalë përfundimtare, ku mbrojtësit e të akuzuarve kanë shprehur që edhe më tutje mbeten pranë fjalës përfundimtare të shprehur në shqyrtimin paraprak, duke marrë parasysh që kjo cështje është në rigjykim në bazë të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, andaj edhe si përfundim, trupi gjykues e shpalli të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor.
Vendimi final i Gjykatës Themelore lidhur me këtë cështje, do të shpallet më datë 16 Shkurt 2024, në oren 09:00.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 13 gusht 2021, në dispozitivin e parë, ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, së bashku me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, akuzohet se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”. Në dispozitivin e dytë të aktit akuzues, Marigona Berisha, dhe në dispozitivin pasues, Ardian Krasniqi, akuzohen se veç e veç e kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Tutje, në pikën katër të aktakuzës, Prokuroria pretendon se nga veprimet e tyre, Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Lavdim Krasniqi gjithashtu akuzohet se në bashkëkryerje me Flora Dodën, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas veprimeve inkriminuese të përcaktuara në dispozitivin nr.5.
Ish-Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, në këtë aktakuzë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë akuzohet edhe për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Në dispozitivin e fundit të aktit akuzues, Marigonë Berisha akuzohet edhe për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Rina Murseli