Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, gjatë seancës së 26 shkurtit janë dëgjuar 4 dëshmitarë në rastin e njohur si Veteranët, ku Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, akuzohen se në bashkëkryerje kanë Keqpërdorur pozitën zyrtare. Në seancën e sotme janë dëgjuar 4 dëshmitarë.
Me propozimin e mbrojtësit të akuzuarit Agim Çeku, avokat Ramë Gashi, dëshminë e filloi dëshmitari D.H. Lidhur me zonën në të cilën kishte shërbyer dhe pjesëmarrjen e tij në terren, në pyetjen e avokat Ramë Gashi, dëshmitari D.H, shtoi se fillimisht formën e aplikimit e kishte kundërshtuar me arsyetimin se anëtarët e komisionit nuk ishin të involvuar, tutje ai shtoi se këto përgjegjësi ishin të nivelit të dytë.
Ndërsa, sa i përket procedurës së aplikimit për statusin veteranë si ka ardhur deri tek komisioni vlerësues, dëshmitari theksoi se nuk kishte marrë pjesë në verifikim por kishte qenë i involvuar indirekt dhe kishte angazhuar udhëheqësit e njësive po ashtu shtoi se asnjë aplikacion nuk do mund të verifikohej pa nënshkrimin e tyre.
Referauar dispozitave ligjore që rregullojnë statusin e veteranit dhe me qenë se ju keni qenë komandant i brigadës, në pyetjen e Prokurorit Special, Valdet Gashi se a ju kujtohet se kush e kishte udhëhequr dhe menaxhuar këtë proces në tërësi, dëshmitari shtoi se nuk jam i thirrur për të dhënë këtë përgjigje është ligji ai që ka përcaktuar.
Lidhur me rrjedhën e procesit në terren dëshmitari i dytë, J.D theksoi se, pozita e tij kishte qenë komandant i brigadës, lidhur me procesin shtoi se nuk ka qenë i involvuar direkt po ashtu i njejti shtoi se verifikimi në zonën ku ai ka operuar ka qenë më i lehtë.
Dëshmitari i tretë J.G, lidhur me rrjedhën e procesit shtoi se aplikimet janë shqyrtuar fillimisht nga Komandantët e brigadës pastaj të njejtat i kanë dorëzuar pranë Komisionit Qeveritarë për verifikim. Dëshmitari i katërt V.K, lidhur me përmbajtjen e aplikacionit theksoi se ka përmbajtur të dhënat e nevojshme, tutje dëshmitari shtoi se në aplikacion ka qenë një pjesë me nënshkrime të zingjirit komandues.
Për seancën e sotme ishte paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitari i pestë, por pasi orari i punës së gjykatës përfundoi, në rrjedhë të kësaj kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri njoftoi se dëshmitari do të dëgjohet në njëren nga seancat e radhës. Seancat e radhës do të mbahen me datë: 27,28,29 shkurt dhe 1 mars nga ora 09:30.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, me 16 prill 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues në rastin “Veteranët”, por, Gjykata e Apelit – Departamenti Special, më 21 mars 2022, kishte aprovuar si të bazuar ankesën e PSRK-së ndërsa kishte anuluar aktgjykimin e themelores, duke vendosur që lënda të kthehet në rigjykim dhe vendosje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të datës 13 shtator 2018, e përmirësuar më datë 7 dhjetor 2018, Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri me datë 30.01.2017 në Prishtinë, në objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’.
Të njëjtit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë njohjen e statusit të Veteranit Luftëtar, personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha