|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Propozohen tre dëshmitarë të tjerë në rastin ndaj pronarit të kompanisë “Sallahu” dhe auditorit të MI-së

Seanca e sotme e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares V.B, nga seanca e kaluar e datës 26 Janar 2024, për rastin ndaj drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzat Musliu, si dhe të ish-drejtorit të kompanisë “Sallahu” Sh.p.k, Naim Sallahu, të akuzuar për Korrupsion.

Në seancën e sotme, mbrojtja e në raste edhe vetë të akuzuarit kanë parashtruar pytje ndaj dëshmitares V.B. Dëshmitarja në pyetjen nga vetë i akuzuari, lidhur me dokumentet e falsifikuara, u përgjigj se zyrtarët e prokurimit nuk zhvillojnë hetime lidhur me dokumente të falsifikuara, mirëpo, kur haset në dokumente të dyshimta, i konstatojnë si të tilla. Në këso rastesh, zyrtarët e prokurimit, ka shprehur dëshmitarja, nuk njoftojnë Policinë, mirëpo së pari veprohet ashtu që të lajmërohet Sekretari dhe Ministri. Më tej, dëshmitarja V.B nga pyetjet e vetë trupit Gjykues, është deklaruar lidhur me ‘tejkalimet’ e auditorit ku ka shprehur që auditorit ka dërguar shkresë në Organin Shqyrtues të Prokurimit duke e akuzuar dhe përceshur punën e saj, e këto përceshje dhe akuzime kanë qenë brenda raportit të auditimit. Ky raport është përpiluar në bazë të shkresës së dëshmitares me të cilën Operatorin Ekonomik Sallahu ka hyrë si rezultat në listën e zezë.

Pas lirimit të dëshmitares nga salla e gjykimit, të akuzuarit sëbashku me mbrojtësit e tyre kanë propozuar dëgjimin e pesë dëshmitarëve të tjerë lidhur me nxjerrjen në dritë të kësaj cështje. Për këto propozime, Trupi Gjykues i përbërë nga Avni Syla, në cilësi të kryetarit, Alban Ajvazi dhe Sulltane Hoti në cilësi të anëtarëve, aprovuan vetëm dëgjimin e dëshmitarëve H.M – ish-udhëheqës i Divizionit të Projekteve më Ministrinë e Infrastrukturës, N.B – ish-udhëheqëse e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe SH.K – inxhinier i gjeodezisë i cili ka punuar sëbashku me Fadil Shehun për projektin për të cilin shtjellohet akuza.

Andaj edhe pasi nuk ka mundur të vazhdohet tutje, seanca e sotme është ndërprerë dhe ajo e rradhës është caktuar më datë 17 Prill, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Begzat Musliu, në cilësinë e personit zyrtar, si Drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me ligjin për Auditimin e Brendshëm të Financave Publike, ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit publik me titull” Ndërtimin e urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacion Drelaj”, ku i pandehuri ka vepruar vetëm me kerkesë të Operatorit Ekonomik ”Sallahu” Sh.p.k, që është e ndaluar me ligj, po ashtu i pandehuri jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm, ka përpiluar raportin e auditimit në favor të Operatorit Ekonomik ”Sallahu” Sh.p.k, me qëllim të krijimit të dobisë për atë kompani, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori, përkundër asaj që nuk ka pasur autorizim, të cilin raport jashtë procedurave e ka dërguar përmes arkivës në OSHP. Të njëjtit i ka dërguar Operatorit Ekonomik, ku i pandehuri përmes dërgimit të raportit të tij në OSHP, ka ndikuar që ky organ raportin e tij ta konsideroj si provë relevante duke theksuar se ja falë besimin këtij raporti dhe si rezultat i kësaj, kërkesa Drejtoreshës së Prokurimit është refuzuar nga OSHP, që OE “Sallahu” Sh.p.k të ishte tutje në listën e zezë të OSHP-së.

Me këtë i pandehuri Begzat Musliu, akuzohet se ka kryer veprën penale  ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Naim Sallahu, akuzohet se me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik, në atë mënyrë që në pozitën e pronarit të kompanisë ”Sallahu” Sh.p.k, ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në Aktivitetin e Prokurimit, në të cilën lëndë ka prezantuar referencën për gjeodetin F.SH, se i njëjti kinse kishte punuar në projektin ” Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin” Zgjërimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik), por në projektet në fjalë nuk ka qenë i angazhuar gjeodeti F.SH.

Me këtë i pandehuri Naim Sallahu, akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik’.

Kujtojmë se në këtë aktakuzë, i akuzuar ka qenë edhe Fadil Shehu, i akuzuar se në cilësinë e dëshmitarit ka dhënë deklaratë të rremë në betim, mirëpo ndaj të njëjtit është vecuar procedura pasi që është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Shtetit dhe se ndaj tij është shpallur aktgjykim fajësues.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter