Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar seanca e shqyrtimit gjyqësor ku të akuzuara janë Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti Abazi, të cilat akuzohen për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”.
Fillimisht, gjyqtari Agim Kuçi ka konstatuar prezencën e palëve në procedure.
Për shkak se ka munguar mbrojtësi i të akuzuarës Fatime Hoti, avokat Ramë Dreshaj, gjyqtari Kuçi ka konstatuar se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
Në këto rrethana, seanca e radhës është caktuar me datën 25 mars.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 13 gusht 2018, e akuzuara Fllanza Shabi, në cilësinë e zyrtares së shitjes së PTK-së në Prishtinë, në zyrën postare nr.10 dhe Fatime Hoti Abazi, si zyrtare e teleshitjes në PTK, akuzohen se me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për tjetrin, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kishin tejkaluar kompetencat e tyre.
Gjithnjë sipas akuzës, të akuzuarat në periudhën 2009-2012, kanë përvetësuar shumën e parave prej 76.151,16 euro, e cila i ishte besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tyre për shërbimet e “Western Union”, në Postën e Kosovës.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarat se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, e sanksionuar sipas nenit 425 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani