|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj zëvendësudhëheqësit ekzekutiv në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), Kreshnik Bajraktari, i cili akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Sulltane Hoti ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurorit Bashkim Zeqa, të dëmtuarit, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij.

Tutje, seanca ka vazhduar me paraqitjen e propozimeve për plotësimin e provave materiale.

Pas paraqitjes së propozimit për plotësimin e provave materiale nga ana e të dëmtuarit, mbrojtësi i të akuzuarit Bajraktari ka kundërshtuar provat e paraqitura.

Tutje, mbrojtja ka theksuar se i nevojitet kohë për t’i shqyrtuar provat e paraqitura, duke i propozuar gjykatës që seanca të ndërpritet.

Gjykata, ka aprovuar propozimin e mbrojtësit për ndërprerjen e seancës, ashtu që seanca e radhës është caktuar me datën 17 maj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 qershor 2022, Kreshnik Bajraktari akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si zëvendës i udhëheqësit ekzekutiv në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në mënyrë të vazhdueshme nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëm të dëmtuarit Isuf Koci.

Siç thuhet në aktakuzë i akuzuari Bajraktar në kundërshtim me vendimin e 9 shtatorit 2021, të marrë nga Njësia e Burimeve njerëzore në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, në bazë të cilit vendim i dëmtuari Koci është emëruar në pozitën e kategorisë së mesme drejtuese drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Materiale, me koeficientin 10, i akuzuari në kundërshtim me vendimin dhe akt-emërimin AE.nr.04/2021 nuk e ka vendos të dëmtuarin drejtor të departamentit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Materiale në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe në listën e pagave  me koeficientin 10, por e ka dërguar në pozitën e divizionit me koeficient 9, edhe pse ka pas mundësi buxhetore me zbatu vendimin dhe me vendos në listën e pagës me koeficient 10.

Me ç‘rast, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Bajraktari i ka shkaktuar dëm të dëmtuarit Koci, në mënyrë të vazhdueshme për çdo muaj në vlerë prej 60.60 euro në muaj.

Me këtë, i akuzuari Bajraktari sipas aktakuzës në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par 3, pika 1, lidhur me par.1 dhe nenit 77 të KPRK-së.

Ndërkaq, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Bajraktari akuzohet se në cilësi të njëjtë nga data 14 shkurt 2022, e deri më tani refuzon të ekzekutojë vendimin e 10 janarir 2022, të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si dhe vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 14 shkurt 2022 , me të cilat vendime obligohet i akuzuari  ta zbatojë vendimin e 17 majit 2021, të nxjerrë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Me këtë, sipas aktakuzës i akuzuari Bajraktari akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, par 1, lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter