Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku ish-kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj së bashku me Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli, Faton Thaqi dhe Ahmet Rrahmanaj akuzohen për Keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpërlarje të parave dhe mashtrim.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues gjyqtari Vesel Ismaili, theksoi se ka ndryshime në përbërjen e trupit gjykues dhe atë me arsyen se anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Suzana Qerkini ka kaluar në një pozitë tjetër dhe tani në këtë trup gjykues në vend të saj do të jetë gjyqtari Rrahman Beqiri.
Pas aprovimit nga Prokurorja speciale Habibe Salihu dhe mbrojtësit e të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues gjyqtari Vesel Ismaili, theksoi se mund të konsiderohen të lexuara veprimet e marra deri më tani në këtë proces gjyqësor.
Seanca pastaj ka vazhduar me administrimin e provave të propozuara nga Prokuroria Speciale.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ragip Begaj, avokat Rrahman Kastrati theksoi se nuk i kundërshton si të tilla që të administrohen këto prova të propozuara pasi që nga këto prova vetëm se është vërtetuar pafajsia e të mbrojturit të tij, andaj ai tutje shtoi se nga të gjitha provat e propzuara nuk shpërfaqet ndonjë element që përbën veprën penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij.
Po ashtu, edhe mbrojtësit e të akuzuarve tjerë lidhur me administrimin e provave theksuan se me këto prova nuk mund të vërtetohet se me veprimet e ndërmarra nga të mbrojturit e tyre të formohet elementi i veprës penale e cila u vihet në barrë.
Në vazhdim të seancës, kryetari i trupit gjykues theksoi se pasi nuk ka propozime të tjera për plotësimin e provave, në seancën e sotme ishte e paraparë që të paraqitej mbrojtja e të akuzuarve.
Mbrojtësit e të akuzuarve nga gjykata kërkuan që seanca e sotme të ndërpritet pasi që nuk janë të gatshëm për paraqitjen e mbrojtjes dhe rrjedhimisht ky propozim u aprovua nga trupi gjykues, ndërsa mbrojtjen të akuzuarit do ta paraqesin në seancën e radhës.
Shqyrtimi i radhës për këtë cështje do të mbahet me datë: 27 mars nga ora 09:30.
Sipas aktakuzës së PSRKS-së të ngritur më 1 korrik 2021, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.
Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.
Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.
Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.
Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.
Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.
Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Neëco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha