Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ku të akuzuara janë Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti Abazi, të cilat akuzohen për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”.
Fillimisht, gjyqtari Agim Kuçi ka konstatuar prezencën e palëve në procedure.
Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve N.B dhe B.Sh.
Dëshmitarja N.B, ndër të tjera, ka deklaruar se si arkëtare e zyrës postare numër 10, në peiudhën kohore 2009-12, në lidhje me nevojat e shërbimit për Western Union, nuk ka qenë punëtore që ka qenë e ngarkuar me shërbimet e Western Union, mirëpo e njejta ka theksuar se pas një kohe, nga menaxhmenti i është dërguar e-mail, që t’a bëjë bartjen e të hollave të Western Union-it, prej bankës tek sportelisti.
Tutje, e njejta ka theksuar se punëtorët që i ka ngarkuar me mjete për shërbime të Western Union, ka qenë e akuzuara Fllanza Shabi, ndërsa në rastet kur nuk ka qenë Fllanza, i ka ngarkuar edhe punëtorët e tjerë.
Dëshmitari B.Sh, ndër të tjera, ka deklaruar se për shërbimet e kryera në mes të Postës dhe Western Union-it, roli i tij ka qenë vetëm që t’i bart autorizimet nga regjionet tek financat për aprovim, dhe pastaj pasi që janë aprovuar, janë përcjell në bankë.
Në mungesë të kushteve ligjore, për të vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të radhës, gjyqtari Kuçi ka caktuar seancën e radhës me datën 26 prill.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 13 gusht 2018, e akuzuara Fllanza Shabi, në cilësinë e zyrtares së shitjes së PTK-së në Prishtinë, në zyrën postare nr.10 dhe Fatime Hoti Abazi, si zyrtare e teleshitjes në PTK, akuzohen se me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për tjetrin, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kishin tejkaluar kompetencat e tyre.
Gjithnjë sipas akuzës, të akuzuarat në periudhën 2009-2012, kanë përvetësuar shumën e parave prej 76.151,16 euro, e cila i ishte besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tyre për shërbimet e “Ëestern Union”, në Postën e Kosovës.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarat se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, e sanksionuar sipas nenit 425 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani