|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve për 400 KG kokainë


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi për 400 kg kokainë.

Në seancën e sotme ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarës e cila ka mbetur duke dëshmuar në seancën e fundit.

Lidhur me një email dhe emrin e një personi të quajtur Eduardo Almeida, në ballafaqim nga avokat Besnik Berisha, dëshmitarja theksoi se nuk i kujtohet si person por pas shiqimit të email dëshmitarja shtoi se ky person kishte punuar në pjesen e eksportit.

Ndërsa, sa i përket cështjes së emaila-ve në të cilat dëshmitares i ishin bërë forëard për këtë person nga i akuzuari Faton Vrajolli dhe që i ishin dërguar personit Eduardo Almeida, dëshmitarja theksoi se nuk i kujtohet se a ka parë ndonjëherë këtë email.

Kurse, sa i përket një personi me emrin Junior i cili kishte qenë pjesë e ‘GT-Food-s’ dhe relacionit të tyre me ‘Mc Foods’, dëshmitarja shtoi se me këtë kompani kishin bashkpunim dhe bëjnë importimin e mallit nga kjo kompani më konkretishtë mish të pulës.

Tutje, lidhur me një email tjetër të pranuar nga dëshmitarja, ajo theksoi se i kujtohet dhe se për përmbajtjen e të njejtit shtoi se ishin njoftuar se personi me emrin Eduardo kishte ndërruar jetë e po ashtu i kishin shtuar në email personat përgjegjës të shitjes.

Seanca ishte e paraparë që të vazhdonte edhe në pjesën e pasditës, por për shkak të kushteve të Gjykatës sa i përket temperaturës së sallës së gjykimit me propozim të Prokurorit Special, Valdet Gashi e po ashtu edhe avokatit Ramë Dreshaj, trupit gjykues në rrethanat e krijuara, konstatoi se seanca e sotme duhet të ndërpritet.

Mbrojtësi Besnik Berisha, lidhur me arrestimin e të mbrojturit të tij Izet Sheqiri dhe të akuzuarve të tjerë, theksoi se kanë kaluar 3 vite dhe tani në këtë kohë në masë të paraburgimit janë vetëm dy persona, pra avokati Berisha duke arsyetuar kërkesën e tij shtoi se nuk ka asnjë arsye të vetme që i mbrojturi i tij të mbetet nën masën e paraburgimit, sa i përket kësaj cështje ai propozoi që masa e paraburgimit për të mbrojturin e tij të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak apo ndonjë masë tjetër më të lehtë.

Kërkesë të njejtë kishte edhe mbrojtësja e të akuzuarit Faton Vrajolli, avokate Nora Grajcevci ajo theksoi se në kohën e tanishme nuk ka më bazë që i mbrojuri i saj të mbahet në masën e paraburgimit.

Lidhur me këtë propozim, Prokurori Special Valdet Gashi theksoi, se prokuroria e kundërshton këtë propozim që kjo masë të zëvendësohet me arsyetim se për këtë cështje nuk ka kaluar shumë kohë kur ky trup gjykues kishte vendosur dhe në rrethanat e tanishme i shërben drejtësisë që kjo masë e paraburgimit të vazhdojë.

Trupi gjykues, lidhur me kërkesën e avokatit Besnik Berisha dhe Nora Grajcevci, vendosi duke refuzuar propozimin e mbrojtjes me arsyetim se ende ekzistojnë kushtet dhe arsyet me të cilat është caktuar, përkatësishtë është vazhduar masa e paraburgimit, tutje kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Musa Konxheli theksoi se në ndërkohë nësë plotësohen kushtet për heqjen e masës së paraburgimit, gjykata do të vendos lidhur me ndryshimin e kësaj mase.

Seancat e radhës për këtë cështje penale u caktuan të mbahen me datë: 04, 05, 07 dhe 20 qershor nga ora, 09:30.


Kujtojmë që, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur me datë14 nëntor 2022, të akuzuarit Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi, po akuzohen se duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe në bashkim të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar me persona deri më tani të panjohur nga shteti i Brazilit dhe pas marrëveshjes paraprake me të njëjtit, fillimisht kanë lidhur marrëveshje për importin e produkteve të mishit të pulës të ngrirë, ku në brendi të së cilës është vendosur edhe substanca narkotike e llojit kokainë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kompania “MC FOOD” Sh.p.k, për qëllime të importit të mallit, është kategorizuar në linjën e verdhë, ku në stacionet doganore bëhet vetëm verifikimi i dokumenteve dhe jo kontrollimi i mallit, dhe duke shfrytëzuar këtë mundësi, është arritur që substanca narkotike prej 400 kg e llojit kokainë, të transportohet nga shteti i Brazilit, nëpërmjet shtetit të Spanjës, Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, ashtu që me datën 15.05.2021, substanca narkotike është futur në Republikën e Kosovës.

Kujtojmë se të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Naim Morina dhe Hyzri Sheqiri, të cilët akuzoheshin për pengim të procedurës penale, mirëpo pasi që të njëjtin kanë pranuar fajësinë, ndaj të njëjtëve është shpallur aktgjykim fajësues.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter