Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, ka filluar gjykimi ndaj Shefqet Damka dhe Anil Damka të cilët akuzohen nga Prokuroria se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’.
Fillimisht, kryetari i turpit gjykues gjyqtari Gazmend Bahtiri hapi seancën e shqyrtimit fillestar duke konstatuar prezencën e palëve në procedurë.
Kujtojmë që, për këtë rast ishte mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar me datë 20 mars, por në atë seancë mbrojtja kishte kërkuar që aktakuza të përfaqësohet nga Prokurorja e rastit e cila edhe i kishte zhvilluar hetimet, propozim ky që ishte aprovuar nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri. Dhe sot, shqyrtimi fillestar ka ri-nisur edhe një herë.
Pas plotësimit të kushteve për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, prokurorja e shtetit Fitore Sadikaj filloi me leximin e aktakuzës.
Të akuzuarit, Shefqet Damka dhe Anil Damka lidhur me pranimin e fajësisë theksuan se nuk e ndjejnë vetën fajtor për veprën të cilën akuzohen.
Sipas aktakuzës, së Prokurorisë, të datës 21.11.2022, të akuzuarit Shefqet Damka dhe Alil Damka kishin shkelur rregullat në procedurën e prokurimit publik duke paraqitur dhe falsifikuar dokumente të cilat i kishin përdorur në procedurën e tenderimit. Gjithnjë sipas Prokurorisë, të akuzuarit me veprimet e tyre, në bashkëkryerje kanë kryer vepren penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ nga neni 415 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim.
Monitoruar nga Arton Hoxha