|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin e të akuzuarve për Keqpërdorim të detyrës zyrtare



Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Betim Reçica, Leonora Limani, Isa Berisha dhe Mirdit Emini, ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, të akuzuar për veprat penale ‘‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’ dhe ‘‘Ushtrimi i ndikimit’’.

Seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalës përfundimtare.

Në elaborimin e fjalës përfundimtare, Prokurorja Speciale, Habibe Salihi, theksoi se përgjatë shqyrtimit gjyqësor janë administruar prova të mjaftueshme me të cilat është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Tutje, Prokurorja Speciale, shtoi se me dëgjimin e dëshmitarëve si dhe me administrimin e provave tjera të cilat janë elaboruar përgjatë shqyrtimit gjyqësor janë manifestuar të gjitha elementet e veprave penale për të gjithë të akuzuarit.

Në fund, Prokurorja theksoi duke kërkuar nga trupi gjykues se përgjatë marrjes së vendimit të merret parasysh përgjegjësia penale e të akuzuarve dhe të njejtit të shpallen fajtor e po ashtu, të dënohen sipas ligjit.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, av. Flamur Bllacaku, në elaborimin e fjalës përfundimtare theksoi se si palë e dëmtuar e mbështesin në tërësi fjalën e Prokurorisë, duke shtuar se përgjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar se, kompania ‘Sallahu Shpk’, është palë e dëmtuar në këtë rast.

Mbrojtësi i të akuzuarit Betim Reçica, av. Driton Muharremi, në fjalën përfundimtare theksoi se, me të gjitha provat e administruara nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij të jetë fajtor për veprimet e ndërmarra me të cilat akuzohet nga Prokuroria. Tutje, në elaborimin e fjalës përfundimtare, ai shtoi se me dëgjimin e ekspertëve dhe me elaborimin e super-ekspertizës, si dhe me dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar se i mbrojturi i tij është i pafajshem.

Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Betim Reçica, shtoi duke kërkuar nga trupi gjykues që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm për të gjitha pjesët e akuzës, me rastin e marrjes së vendimit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Isa Berisha, av. Florent Latifaj, në elaborimin e fjalës përfundimtare, theksoi se gjatë shyqrtimit gjyqësor është vërtetuar se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, dhe nuk është vërtetuar se i është shkaktuar dëm ndonjë pale tjetër. Tutje, av. Florent Latifaj shtoi, duke kërkuar nga trupi gjykues, që me rastin e marrjes së vendimit i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mirdit Emini, av. Driton Musliu, në elaborimin e fjalës përfundimtare, shtoi se përgjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, me administrimin e provave si dhe me dëgjimin e dëshmitarëve nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij, të jetë fajtor dhe njëkohsishtë të jetë shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit. Tutje, av. Driton Musliu, theksoi se pasi nuk është përmbushur asnjë element i veprës penale për të cilën akuzohet tani i mbrojturi i tij, ai nga trupi gjykues kërkoi që me rastin e marrjes së vendimit të mbrojturin e tij ta shpallë të pafajshëm.

Mbrojtësi i të akuzuares, Leonora Limani, av. Alban Makolli, në elaborimin e fjalës përfundimtare, theksoi se ndjekja penale në këtë cështje ndaj të mbrojturës së tij, e pastaj që ka pasuar me aktakuzë, ka ardhur si rrjedhoj e vlersimit të gabuar të Prokurorisë. Në fund, av. Alban Makolli shtoi se përgjatë shqyrtimeve gjyqësore është vërtetuar se me veprimet e të mbrojturës së tij, nuk është manifestuar ndonjë element  i veprës penale, andaj nga trupi gjykues kërkoi që të mbrojturen e tij ta shpallë të pafajshme.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë: 07 Maj nga ora 13:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të datës 15 shkurt 2021, i akuzuari Betim Reçica në cilësin e personit zyrtar dhe atë ushtrues detyre i Drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës në vitin 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë ‘Gjoka Konstraktion’, ushtroi ndikim të drejtëpërdrejtë ndaj anëtarëve të komisionit vlerësues, në tenderin e ndërtimit të autoudhës së Gjilanit, në atë mënyrë që Komisionin Vlerësues e vuri në presion kohor që vlersimin ta kryej në afat 10 ditor dhe pas kësaj kërkoj nga ata që të shpallin fitues të tenderit OE ‘Gjoka Konstraksion edhe pse nuk i përmbushte kriteret e kërkuara.

Me këto veprime i njejti ka kryer vepren penale ‘Ushtrim i ndikimit’ nga neni 431 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, sipas aktakuzës i akuzuari Reçica në cilësi të personit zyrtar me datë 02.10.2019, ka tejkaluar kompetencat e tij dhe ka nxjerrur vendim për pagesën e zyrtarëve për shërbime kontraktuese, me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar, vendim ky i cili ishte nxjerrur në kundërshtim me rregullat e Qeverisë së Kosovës, me këtë rast i njejti e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 9.049.8 euro.

Me këto veprime i akuauzri ka kryer vepren penale, ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 i KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Betim Reçica, në cilësin e Sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, kishte nxjerr vendim me qëllim që në menyrë të kundërligjshme të bëhej kompensimi financiar në mënyrë retroaktive duke filluar që nga themelimi i marrëdhënies së punës nga viti 2010 deri në 2019. Me vendime të caktuara u miratua shtesa për paga për kategori të vecanta të profesioneve deficitare, në këtë listë nuk bënte pjesë Ministria e Infrastrukturës dhe Trasnportit, me këtë rast ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 68,500.00 euro.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Isa Berisha, në cilësin e personit zyrtar dhe atë Kryetar i Komisionit Rivlerësues në Ministrinë e Infrastrukturës, Leonora Limani dhe Mirdit Emini  në cilësin e anëtarëve të këtij komisioni, në procesin e Rivlersimit të ofertave të operatorëve ekonomik, keqpërdorën detyrën zyrtare, në atë mënyrë duke shpallur fitues Operatorët të cilët nuk kishin ofertuar cmim më të ulët dhe që ishte qëllim kryesor të ofertohen, me këto veprime i është shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, 6,200,313.13 euro.
 
Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale, ‘Keqpërdorim i deryrës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 422 i KPRK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter