Në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ‘Subvencionet 1’, ku Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj akuzohen nga Prokuroria Speciale, për kryerjen e veprave penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Mashtrim me subvencione”.
Në seancën e sotme, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, deklaroi se kundërshtojnë të gjitha provat e propozuara nga prokuroria, sepse provat e propozuara nuk e mbështesin aktakuzën, asnjëra nuk vërtetojnë se i akuzuari Statovci ka kryer veprën penale ‘Marrje ryshfeti’ siç pretendon prokuroria.
Mbrojtësi Rudari poashtu theksoi se kundërshtojnë gjithë SMS-të e nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme , duke kërkuar nga trupi gjykues që ti shpallë si prova të papranueshme dhe ti veçoj nga shkresat e lëndës.
Pranë deklarimit të mbrojtësit Rudari, qëndruan edhe mbrojtësit tjerë të të akuzuarve, duke kundërshtuar në tërësi administrimin e provave në këtë çështje penale.
Tutje, në seancë mbrojtja propozoi bashkimin e dy apo më shumë procedurave, për rastin e njëjtë, por propozimi i mbrojtjes u refuzua nga trupi gjykues.
Gjatë seancës, mbrojtësi i të akuzuari Luan Statovci, avokati Rudari i dorëzoi trupit gjykues për administrim si provë vendimin e Qeverisë, i cili tha se ka të bëjë me dyfishimin e pagesave të programit për vitin 2020, propozim ky që u aprovua nga trupi gjykues. Po ashtu, një aktgjykim të Gjykatës Supreme me të cilin sipas avokatit Rudari, gjykata ka konstatuar se SMS-ët e nxjerrë në mënyrë retroaktive përbëjnë ndërhyrje në privatësi, i cili propozim u refuzua nga trupi gjykues.
Nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Krasniqi, Valon Kurtaj dhe Lutfi Shala, u refuzua edhe propozimi tjetër i mbrojtësit Rudari lidhur me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin sipas tij gjykata ka konstatuar se ka pasur shkelje të së drejtës së privatësisë, ku mbrojtësi kërkoi të merret parasysh ky aktgjykim në këtë çështje penale.
Në vazhdim të seancës, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të adminsitrohen të gjitha provat materiale.
Seancat e radhës të shqyrtimit gjyqësor do të mbahen me datë 10, 14 dhe 19 qershor 2024.
Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon
Luan Statovcin, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.
Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, të cilët kishin pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohen.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti