Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vazhduar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Besim Haxhijaha i cili po akuzohet për veprën penale Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Në fillim të shqyrtimit, kryetari i trupi gjykues Drilon Haraçia bëri të ditur se e dëmtuara/dëshmitarja M.O është planifikuar të dëgjohet në këtë shqyrtim gjyqësor por e njëjta nuk është e pranishme pasi që gjindet jashtë shtetit, gjithashtu është tentuar që me të njëjtën të kontakohet edhe përmes video-linkut mirëpo ka qenë e pamundur pasi që e njëjta nuk është përgjigjur.
Pas kësaj prokurorja e çështjes Dëshire Jusaj i ka propozuar gjykatës që deklarata e të dëmtuarës/dëshmitarës të lexohet në mënyrë që të mosprolongohet procedura.
Gjithashtu e njëjta ka propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen Y.K dhe B.D.
Pas këshillimit të trupit gjykues u mor aktvendim me të cilin u aprovuan dy propozimet e prokurores.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 9 gusht 2023, aktakuzë ndaj të pandehurit Besim Haxhijaha, ku sipas aktakuzës, i pandehuri Besim Haxhijaha, në korrik 2021 deri në prill 2022 në cilësinë e sportelistit të Postës së Kosovës – Dega në Rahovec, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër apo ti shkaktojë dëm pasuror personit tjetër, kundërligjshëm i ka dhënë asistencën sociale personit tjetër N.N në emër të M.O nga fshati Petkoviç, Komuna e Rahovecit, por me banim në Slloveni. Tutje në aktakuzë thuhet se, në atë mënyrë nga i pandehuri, personi N.N ka tërhequr trembëdhjetë asistenca sociale në shumë të përgjithshme prej 1 mijë e 596 euro, dhe atë në dhjetë fletëpagesat e postës. Ashtu që i pandehuri Haxhijaha me veprimin e tij të kundërligjshëm, në emër të të dëmtuarës M.O, buxhetit të Republikës së Kosovës-Ministrinë për punë, Mirëqenie sociale dhe Transfere i shkakton dëm materiale në vlerë të përgjithshme prej 1 mijë e 596 euro.
Me këto veprime, i pandehuri Haxhijaha akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi