Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, këtë të enjte u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 12 zyrtarëve dhe 6 fermerëve të cilët akuzohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Mashtrimi me subvencione”, “Mashtrimi në detyrë” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.
Në fillim të shqyrtimit gjyqësor gjyqtarja Nushe Kukaj-Mekaj bëri të ditur se nga mbrojtësi i të akuzuarit Driton Alaj, av. Driton Musliu është njoftuar përmes email-it që i mbrojturi i tij gjindet jashtë shtetit dhe i njëjti nuk ka mundësi të kthehet deri në tetor, kështu që ka kërkuar që procedura ndaj tij të veçohet meqenëse për veprën për të cilën akuzohet është kryer vetëm dhe bie nën kompetencën e Departamentit të Përgjithshëm, ku një propozim i tillë është aprovuar.
Kështu që pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, të akuzuarit Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Granit Lubeniqi, Adrian Ramqaj, Lulzim Hajdaraj dhe Musa Nivokazi janë deklaruar të pafajshëm për veprat për të cilat akuzohen.
Ndërsa sa i përket të akuzuarit Bajram Gashi kishte një marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin e çështjes të datës 08.12.2023 por që pas konsultimit me mbrojtësin e tij i njëjti ka hequr dorë nga marrëveshje për pranim të fajësisë dhe gjithashtu është deklaruar i pafajëshëm për veprat për të cilat akuzohet.
Ka hequr dorë nga marrëveshja për pranim fajësie e datës 08.12.2023 edhe i akuzuari Ramiz Ramosaj me arsyetimin se ka rënë në lajthim nga ana e avokatit dhe se nuk dihet fajtor për veprat që i ngarkohen.
Ndërsa sa i përket të akuzuarve Arif Idrizaj, Dinë Zogaj, Shemsedin Metaj, Burim Shabanaj dhe Deli Metaj të cilëet kanë marrëveshje për pranim fajësie, gjykata pas vlerësimit ka gjetur se marrëveshjet janë lidhur në pajtim me dispozita ligjore, ashtu që ka merr aktvendim me të cilin ka pranuar marrëveshjet për pranim të fajësise dhe të njëjtit do të shërbejnë si dëshmitar bashkëpunues.
Gjithashtu edhe i akuzuari Besim Bicaj ka marrëveshje për pranimin e fajësisë por jo edhe si dëshmitar bashkëpunues, kështu që seanca për caktimin e dënimit për të është caktuar me datë 03.06.2024.
Dhe në fund, gjyqtarja njoftoj palët se kanë të drejtë të paraqesin kundështimine provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës, në afat prej 30 ditësh.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë e datës 09.04.2024, në këtë rast akuzohen 12 zyrtarët: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Granit Lubeniqi, Adrian Ramqaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Ramiz Ramosaj, Driton Alaj, si dhe 6 fermerët: Arif Idrizaj, Dinë Zogaj, Shemsedin Metaj, Burim Shabanaj, Deli Metaj dhe Besmir Bicaj, ku ngarkohen se dëmtuan buxhetin e Republikës së Kosovës mbi 100 mijë euro.
Ata ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Mashtrimi me subvencione”, “Mashtrimi në detyrë” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi