|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon shqyrtimi gjyqësor në rastin e zyrtarëve të Obiliqit të akuzuar për Korrupsion

 Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, është mbajtur seanca e radhës në rastin ndaj të akuzuarve, Nerimane Kelani-Sherifi dhe Arben Berisha, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, si dhe i akuzuari Ramadan Hasani, për shkak të veprës penale ‘Mashtrimi’.

Fillimisht pas konstatimit të palëve prezentë në seancë nga Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Foniqi, i  akuzuari Ramadan Hasani u largua nga salla për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij e cila pati një kontroll tek doktori, mirëpo mbrojtësi i të akuzuarit Av.Ibrahim Shala mbetet i pranishëm në seancë.

Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëmtuarit Musa Gashi nga Prokurorja e Shtetit Bukurije Gjonbalaj, ku në pyetjen se si e njeh të akuzuarin Ramadan Hasani, i njëjti theksoi se e njeh 3-4 vite para se të ndodh rasti, ku janë takuar rastësisht kur kanë arritur marrëveshjen për tokën në Komunën e Skenderajit. Tutje shtoi se pjesëmarrës kanë qenë edhe Ahmet Hoti dhe Astriti. Sa i përket çmimit të tokës, i njëjti theksoi se e ka blerë tokën për shkak të çmimit të arsyeshëm prej 19,000 euro. Tutje shtoi se rreth 2 muaj pasi prona doli në emrin e Rasim Jasharit në kadastër, ka gjetur së bashku me Rasimin blerësin e tretë i cili quhet Astrit Jashari i cili ka paguar vlerën më të lartë, përafërsisht rreth 30,000 euro.

Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit R.J nga Prokurorja e Shtetit, ku i njëjti theksoi se noterët i kanë thënë të bëj termin dhe duhet pritur kohë e gjatë për të bërë kontratë, e për këtë arsye i njëjti shkoi te ndërmjetësuesi. Sa i përket pronës, i njëjti theksoi se e ka bartur pronën në emër të tij dhe se çka ka kërkuar kadastri, ky e ka dorëzuar dhe se nuk e ka ditur që kjo pronë është kontestuese. Në vazhdim në pyetjen se a ka lidhur marrëveshje me Astrit Jasharin, dëshmitari theksoi se janë marrur vesh verbalisht për shitblerjen e tokës.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëshmitarin N.O, ku në pyetjen e Prokurores së Shtetit se çfarë pune kryeni si ndërmjetësues, i njëjti përgjigjet se punët i kryen bazuar në kërkesat e palëve, në çështjet penale dhe civile, ku nuk ka të drejtë të kryej ndonjë hulumtim apo verifikim para arritjes së marrëveshjes. Tutje theksoi se marrëveshja e arritur mes palëve ka titull ekzekutiv. Sa i përket përpilimit të marrëveshjes, dëshmitari theksoi se në procedurë të ndërmjetësimit përfshihen dy palë, njëra është palë kërkuese ndërsa pala tjetër është pala nga e cila kërkohet ajo e drejtë. Në fund shtoi se ndërmjetësuesi nuk ka të drejtë të paraqes çmimin e marrëveshjes por nuk mundet të mohohet vullneti i palëve për caktimin e çmimit.

Seanca e sotme ndërpritet, ndërsa seanca e radhës caktohet me datë 08.07.2024 në ora 13:10

Ndryshe sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar, e pandehura Nerimane Kelani-Sherifi si udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit dhe i pandehuri Arben Berisha si Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që e pandehura Nerimane Kelani, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me të cilën e ka bërë bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani i pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë”, në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, ku ndër të tjera thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin aktvendim e ka nënshkruar edhe i pandehuri Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e pandehura Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve të të ndjerit Xh.R.

Ndërsa, i pandehuri Ramadan Hasani, akuzohet se me qëllim që vetit ti sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin M.G, e mashtron duke e nxitur të veproj në dëm material të pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, ia ka shitur tokën në sipërfaqe të përgjithshme 11,034 m2, Zona Kadastrale Milloshevë- Komuna Obiliq, për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2000 euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3.250 euro, kurse marrëveshja ka qenë të paguhen 18.000 euro, e ka fshehur faktin se ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë” është e falsifikuar, me ç’rast blerësi, tani i dëmtuari M.G është vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Jon Ramadani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter