Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Krime të Rënda, me trup gjykues Alltëne Murseli, në cilësi të kryetares, Gazmend Bahtiri dhe Gëzim Ademi, në cilësi të anëtarëve, sot më datë 29 Maj, është mbajtur seanca për të akuzuarit Ardian Jonuzaj dhe Agron Limani.
Në seancën e sotme ishte paraparë marrja në pyetje e dëshmitarit E.H. Në pyetjet e parashtruara nga mbrojtësi i Agron Limanit, Avokat Skender Musa, dëshmitari ka deklaruar që Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (tutje referuar si “FIEK”) nuk posedon dokumente origjinale dhe aty i kanë pasur vetëm dy dokumente që kanë qenë kopje dhe po këto dokumente kanë marrë numër protokolli, megjithatë këta dy numra të protokollit kanë qenë të identifikuara për dy dokumente krejtësisht të tjera, përkatësisht njëri për një vërtetim të një studenti K.M dhe një tjetër për një student tjetër F.S.
Dëshmitari E.H, më tutje ka shprehur që dy dokumentet që kanë qenë kopje apo ndryshe sic i është referuar si dosje e parregullt, porsa është konstatuar si e tillë nga sekretarja, ajo e ka raportuar te dëshmitari dhe sëbashku kanë lajmëruar organet e hetimit. Më tej, në këtë rast, pas marrjes vesh lidhur me këtë dosje të parregullt, është inicuar procedura disiplinore ndaj të akuzuarit Agron Limani, i cili edhe rrjedhimisht është përjashtuar nga Fakulteti.
Më tej, dëshmitari ka shprehur që nuk beson se i ka nënshkruar dokumentet e të akuzuarit sepse për shkak të procedurave të brendshme, që të nënshkruhet dokumenti për nënshkrim duhet të jetë edhe punimi i plotë i diplomës i kandidatit potencial, i cili duhet të jetë i protokolluar.
Seanca e radhës është caktuar për datë 3 Korrik, në ora 13:00.
Në bazë të aktakuzës së ngritur më datë 29.03.2019, nga Prokurorja e Shtetit Dulina Hamiti, Ardian Jonuzaj akuzohet për veprat e lartpërmendura sepse në cilësinë e personit zyrtar të shërbimit të studentëve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ka keqpërdorur pozitën e tij me qëllim që vetit të i sjellë përfitim të kundërligjshëm në atë mënyrë që më datë 20.03.2018, ka pajisur të akuzuarin e dytë Agron Limani, me dy certifikata të falsifikuara dhe atë me certifikatën e notave me nr. ref.1027/18 dhe certifikatën e Diplomës Bachelor nga Inxhinieria Elektrike me numër protokolli 998/18. Është vërtetuar se të njëjtat nuk ishin lëshuar në mënyrë të rregullt në bazë të verifikimit në librin e protokollit dhe nuk ishin regjistruar. Për certifikatat e lëshuara, i akuzuari i parë, Ardian Jonuzaj, ka marrë shumën prej 5,000.00 (pesë mijë) Euro, nga i akuzuari i dytë. Ndërsa i akuzuari i dytë, Agron Limani, për veprat e lartcekura, është akuzuar sepse si student i FIEK-ut, i ka dhënë rryshfet në shumën prej 5,000.00 (pesë mijë) Euro, të akuzuarit të parë Ardian Jonuazaj, si kompensim me qëllim që të pajisej me dy certifikatat e cekura më lart. Mirëpo, vlen të ceket se i njëjti nuk ka arritur të pajiset me diplomë, me c’rast ishte përjashtuar përgjithmonë nga FIEK në Universitetin e Prishtinës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Rina Murseli