|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin e të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor, në rastin ku Kreshnik Bajraktari akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’, si dhe për ‘Moskzekutimi i vendimeve gjyqësore’, i cili si zëvendës i udhëheqësit ekzekutiv në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në mënyrë të vazhdueshme nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëm të dëmtuarit Isuf Koci.

Në fillim të seancës, prokuroi i rastit Bashkim Zeqaj, deklaroi në fjalën përfundimtare të tij, se në rastin konkret janë marrë dëshmitë edhe dëshmitarëve, kryesisht dëshmitarit A.S dhe se në këtë rast nuk ka qenë arsye çështja e mosfunksionimit të bordit, pasi që buxheti miratohet në muajin tetor të vitit paraprak dhe se i pandehuri është dashur ta zbatojë vendimin përkatës. Sipas gjitha provave materiale të administruara përgjatë shqyrtimit gjyqësor kërkoj që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Njëkohësisht edhe i dëmtuari Isuf Koci deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të prokurorit dhe paraqet kërkesë pasurore juridike.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Bajraktari, avokati Ramë Gashi kundërshtoi fjalën përfundimtare të prokurorit duke theksuar se është e paqëndrueshme dhe se gjykata të mos e merr parasysh gjatë vendosjes për këtë çështje penale.

‘Asnjëra nga elementet inkriminuese të veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi im, nuk manifestohen në asnjë moment në veprimet e të mbrojturit Kreshnik Bajraktari, deri sa për këtë çështje kryente detyrën e zëvendës udhëheqësit ekzekutiv të KKTK’, deklaroi mbrojtësi Gashi.

I njëjti nga trupi gjykues kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet me datë 3 qershor 2024, nga ora 13:15.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 qershor 2022, i akuzuari Bajraktari në kundërshtim me vendimin e 9 shtatorit 2021, të marrë nga Njësia e Burimeve njerëzore në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, në bazë të cilit vendim i dëmtuari Koci është emëruar në pozitën e kategorisë së mesme drejtuese drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Materiale, me koeficientin 10, i akuzuari në kundërshtim me vendimin dhe akt-emërimin AE.nr.04/2021 nuk e ka vendos të dëmtuarin drejtor të departamentit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Materiale në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe në listën e pagave  me koeficientin 10, por e ka dërguar në pozitën e divizionit me koeficient 9, edhe pse ka pas mundësi buxhetore me zbatu vendimin dhe me vendos në listën e pagës me koeficient 10. Me ç‘rast, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Bajraktari i ka shkaktuar dëm të dëmtuarit Koci, në mënyrë të vazhdueshme për çdo muaj në vlerë prej 60.60 euro në muaj.

Me këtë, i akuzuari Bajraktari sipas aktakuzës në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par 3, pika 1, lidhur me par.1 dhe nenit 77 të KPRK-së.

Ndërkaq, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Bajraktari akuzohet se në cilësi të njëjtë nga data 14 shkurt 2022, e deri më tani refuzon të ekzekutojë vendimin e 10 janarit 2022, të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si dhe vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 14 shkurt 2022 , me të cilat vendime obligohet i akuzuari  ta zbatojë vendimin e 17 majit 2021, të nxjerrë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Me këtë, sipas aktakuzës i akuzuari Bajraktari akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, par 1, lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter