|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj mjekut ortoped i akuzuar për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e mjekut ortoped Sabit Sllamniku, i cili në cilësinë e personit zyrtar po akuzohet se në dy raste kishte kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.

Në seancën e sotme u mor në pyetje i pandehuri Sabit Sllamniku, i cili në pyetjet e mbrojtësit të tij Driton Muharremi deklaroi se në kontratën e punës së tij me ShSKUK-në nuk ceket detyra për hartimin e ekspertizave gjyqësore, ndërsa për lëndën e Ekrem Sacik theksoi se e ka kthyer tek zyra ligjore pasi nuk ishte e fushës së tij mjekësore, por zyra e ka kthyer përsëri për trajtim.

Ndërsa për refuzimin e të dëmtuarit për ekzaminim, Sllamniku deklaroi se kjo nuk është sjellje normale, pasi që gjithherë pacienti bashkëpunon me mjekun për dhënien e mendimit dhe se paratë e marra kanë qenë për arsye humanitare, pasi i dëmtuari kishte deklaruar se si shkak i paaftësisë nuk mund ta bëjë pagesën në bankë, edhe pse ishte udhëzuar paraprakisht në këtë formë.

I njëjti deklaroi se qëllimi pse është akuzuar ka qenë njollosja e tij, pasi ka qenë kundër trajtimit të pacientëve në spitalet private në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi dhe grupet e interesit kanë pasur qëllime të caktuara në këtë rast.

Ndërsa në marrjen në pyetje nga prokurori i rastit Zefë Prendrecaj, deklaroi se qëndron pranë deklaratave të dhëna në prokurori dhe polici.

Tutje në vazhdim të marrjes në pyetje, në pyetjen e gjyqtarit Gëzim Ademi lidhur me pagesën edhe ndaj anëtarëve tjerë, i akuzuari Sllamniku deklaroi se për të dëmtuarën Fazile Krasniqi janë paguar edhe anëtarët tjerë të komisionit nga shuma prej 100 euro në xhirollogari, ndërsa tek rasti i Ekrem Sacik nuk ka dijeni lidhur me pagesën edhe ndaj dy anëtarëve tjerë, përkatësisht të kirurgut vaskular dhe psikiatrit.

Në seancën e sotme u paraqitën edhe fjalët përfundimtare të palëve, ku prokurori Prendrecaj deklaroi se nga gjitha faktet dhe provat e prezantuara i akuzuari shihet se ka qenë plotësisht përgjegjës dhe veprimet i ka bërë me dashje dhe me qëllim përfitimi materiale, duke kërkuar dënimin e të akuzuarit, e poashtu ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratën publike.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Sllamniku, avokati Driton Muharremi kundërshtoi fjalën përfundimtare të prokurorit, duke deklaruar se i mbrojturi i tij nuk ka pasur dobi pasurore për vete dhe dëmtim të palëve, duke kërkuar kështu aktgjykim lirues nga trupi gjykues.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet me datë 3 qershor 2024, nga ora 13:10.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2022, e ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurit Sabit Sllamniku i cili në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit, duke vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë për vete, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.2532/18 i 11 marsit 2021, nga i dëmtuari Ekrem Saçi, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit të tij, ka kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro.

Me këtë Sllamniku po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1. të KPRK-së.

Ndërsa, sipas diapozitivit të dytë, Sllamniku po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.1910/18 i 17 marsit 2021, me qëllim që të përfitoj për vete dhe për anëtarët e tjerë të komisionit Ilir Miftari dhe Gentian Morina, me 11 qershor 2021 nga e dëmtuara Fazile Krasniqi, në emër të vlerësimit të invaliditetit të saj në cilësi të kryetarit të komisionit ka kërkuar që përmes bankës të paguhen nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, ashtu që djalit të dëmtuarës Festim Krasniqi në të njëjtën datë, në llogaritë bankare të të pandehurit, dhe anëtarëve të tjerë të komisionit ka deponuar shumat nga 100 euro, me ç’rast tani të dëmtuarës Fazile Kransiqi, përkatësisht Festim Krasniqit i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 300 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga nenin 414 par.1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter