Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca ndaj të akuzuarëve Mimoza Beqiri, Behare Bajramin, Ardian Hamitin dhe Betim Ismailin, të cilët po akuzohen për Falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Medie Bytyqi ka konstatuar se prezentë në këtë seancë kanë qenë prokurori Halim Borovci dhe të akuzuarit me mbrojtësit e tyre
Fillimisht të akuzuarit deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale të ngarkuara në aktakuzë, andaj seanca ka filluar me fjalën hyrëse ku palët qëndruan në tërësi në deklarimet e dhëna në seancat e kaluara.
Tutje, seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale nga Prokurori i Shtetit Halim Borovci si vërtetimet e ndryshme, SMS-at mes të akuzuarve dhe fletëpagesat e semestrit të cilat i konsideroi të falsifikuara që i inkriminojnë të akuzuarit për veprat penale si në aktakuzë, ku lidhur me këto prova avokati i të akuzuarës Mimoza Beqiri Av.Shefqet Hasimi theksoi se janë të papranueshme sepse nuk është vërtetur bindshëm për akuzën që i vihet në barrë të mbrojturës së tij.
Avokati i të akuzuarit Ardian Hamiti Av. Mentor Bogaj theksoi se nuk ekziston asnjë provë materiale e konfirmuar me ekspertizë përkatëse që do të vërtetohej kryerja e veprës penale së Falsifikimit të dokumentit si dhe sa i përket mesazheve shtoi se kanë arritur parashkrimin absolut sepse i takojnë vitit 2013.
Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të akuzuarëve, mirëpo të njëjtit e shfrytëzuan të drejtën të mbrohen në heshtje.
Seanca e sotme përfundoi, ndërsa seanca e radhës u caktua me datë 10.07.2024 në ora 14:30
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.
Me këtë, thuhet se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në vazhdimësi”, neni 335, paragrafi 1 i KPRK-së.
E akuzuara Behare Bajrami, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare.
Sipas aktakuzës, Mimoza Beqiri, Ermal Duraku, Anton Jakaj, Daut Ademaj dhe Ilir Murati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në vazhdimësi kanë mashtruar të dëmtuarit se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme dhe nga ta kanë përfituar shuma parash, duke filluar nga 2 mijë e 100 euro dhe 5 mijë euro për një regjistrim. Bajrami, gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëveprim me të pandehurit Beqiri, Duraku, Jakaj dhe Ademaj kanë regjistruar të dëmtuarit në fakultete të ndryshme, duke përfituar shuma prej 2 mijë e 100 euro e deri në 5 mijë euro.
Bajrami në cilësinë e bibliotekares në Fakultetin e Edukimit, sipas aktakuzës, ka shfrytëzuar pozitën e saj për t’i bindur të dëmtuarit se është personi kompetent për regjistrimin e tyre në fakultete, derisa e njëjta është vërejtur nga zyrtarët e UP-së.
Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, neni 422 i KPRK-së.
Tutje, Prokuroria akuzon Mimoza Beqirin, Behare Bajramin dhe Raimonda Osmanin se kanë tentuar të mashtrojnë Arta Bajramin dhe Valon Imerin se do t’i regjistrojnë në Fakultetin Juridik dhe me këtë kanë kryer veprën penale “Mashtrim në tentativë”, neni 335 i KPRK-së.
Ndërsa, e akuzuara Edona Sallahu, sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të sugjerimeve të Mimoza Beqirit, ka raportuar rrejshëm se i ka humbur kuleta me dokumentacion e në mesin e tyre edhe ID e Fakultetit të Mjekësisë edhe pse asnjëherë nuk ka qenë e pajisur me këtë kartelë.
Sipas kësaj, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim rremë”, neni 490 i KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Jon Ramadani