Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve Visar Shala, Bedri Jonuzi, Blerim Potera, Muhamet Balaj dhe Januz Avdili, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Marrje ryshfeti’, ‘Dhënie ryshfeti’ dhe ‘Keqpërdorim i sigurimit’.
Në seancën e sotme mbrojtësi Naim Rudari deklaroi se pasi mbrojnë dy të akuzuar me mbrojtësen tjetër, të akuzuarit Blerim Potera dhe Muhamet Balaj, kemi vërejtur se lidhur me këtë çështje hetimi ka filluar me 2 shtator 2020, më pas i njëjti hetim është zgjeruar me datë 9 shkurt 2022, i njëjti hetim sipas Kodit të Procedurës Penale i cili ka qenë në fuqi në kohën kur është zhvilluar hetimi, përcakton se kur fillohet hetimi duhet të përfundoj brenda 2 viteve, e po qe se nuk është ngritur aktakuzë apo nuk është pezulluar hetimi, ai hetim pushon menjëherë.
Mbrojtësi Rudari deklaroi se për të akuzuarit është thellim i shkeljes së të drejtave të tyre dhe nëpërkëmbje e dinjitetit të tyre, pasi që kjo aktakuzë që kemi për shqyrtim është e vdekur.
Ndërsa prokurori Zef Prendrecaj kundërshtoi deklarimin e mbrojtjes, duke theksuar se pretendimet e mbrojtësit për kalimin e afatit të hetimeve para ngritjes së aktakuzës janë të pabazuara, duke kërkuar nga gjyqtarja Alltëne Murseli që mos të merret parasysh kërkesa e mbrojtjes.
Në vazhdim të seancës, të akuzuarit Blerim Potera dhe Muhamet Balaj nuk deshën të deklarohen rreth fajësisë apo pafajësisë, ndërsa tre të akuzuarit tjerë u deklaruan të pafajshëm për veprat të cilat akuzohen.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të ngritur me datë 22 shkurt 2024, i pandehuri Visar Shala, akuzohet për ‘Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar’, se si zyrtar policor me datë 10 maj 2020 me dashje e ka keqpërdor detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit për vete dhe për personin tjetër, në atë mënyrë që i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e ditur se aksidenti i trafikut nuk ështe shkaktuar, përpilon dokument të rrejshëm – raportin policor, në Veternik, aksidenti i shaktuar nga Feti Mulliqi, drejtues i automjetit VW T 4, me targa te registrimit 01- 147-GO me polisë të sigurimit nr. 740281/Illyria, ku ka pësuar Muhamet Balaj, drejtues i automjetit BMW GX7, me targa 01-444-ND, pronë me leasing e Blerim Poterës nga kompania “Leasing Alberti Sh.p.k”, dhe po ashtu përpilon fletparaqitje të rrejshme për kundërvajtje të aksidentit të trafikut nr. 2020-AD-1195, të cilat raporte i nënshkruan dhe vendos numrin e ID së tij dhe po ashtu i vendos inicialet e kolegut të tij B.A. me ID të tij, duke i mundësuar Blerim Poterës dhe Muhamet Balajt të përfitone benefite në kompaninë e sigurimit “Illyria” nga paraqitja e dëmtimit të automjetit mbi bazën e një dokumenti të rrejshëm të përpiluar nga i pandehuri.
Poashtu sipas dispozitivit tjetër, Visar Shala dhe Bedri Januzi akuzohen për veprën penale ‘Marrje ryshfeti’, se në bashkëkryerje dhe pas marrëveshjes paraprake, si zyrtar policor, kanë pranuar nga Blerim Potera, para dhe paratë e pranuara nga ai i ndajnë në mes vete, i pandehuri Visar Shala e pranon se ka pranuar 100 euro për raportin pro formë 2020-AD-PF-0231, të datës 17 mars 2020 dhe pastaj edhe 300 euro tjera për sigurimin e raportit 2020-AD-1195, të datës 10 maj 2020, ku shihen në video incizim duke i ndarë paratë me Bedri Januzin.
Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Blerim Potera akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë me date 9 dhjetor 2019 ju ka ofruar ryshfet – para në vlerë prej në shumë se 400 euro zyrtarëve policor Visar Shala dhe Bedri Januzi, që zyrtarët policor të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare dhe për përfitime të tij, ndërsa zyrtari policor Visar Shala ka përpiluar raportet policore 2020-AD-PF-0231 dhe 2020-AD-1195, duke kryer kështu veprën penale ‘Dhënie e ryshfetit’, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”
Poashtu, sipas aktakuzës, për veprën penale ‘Keqpërdorim i sigurimit’, në tre dispozitiv të ndarë, akuzohen Blerim Potera dhe Muhamet Balaj, Bedri Jonuzi, si dhe Januz Avdili.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti