|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen tre dëshmitarë në rastin ndaj ish-ushtruesit të detyrës së Sekretarit të MI-së dhe dy zyrtarëve tjerë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve – ish-ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), Nebih Shatri, ish-drejtori i Departamentit të Automjeteve në MI, Kadri Krasniqi dhe ish – Këshilltarit Politik në MI, Pjetër Ndou.

Në seancën e sotme janë dëgjuar tre dëshmitarët, H.H, A.R dhe F.K.

Në dëgjimin e dëshmitarit të parë, në pyetjet e prokurorit të rastit Kujtim Munishi, deklaroi se nuk i kujtohet lidhur me rastin e rekrutimit të ekzaminerëve në vitin 2018, pasi që është në shumë grupe punuese.

Ndërsa dëshmitarja e dytë A.R deklaroi se nuk ka pranuar kërkesë përmes telefonit që të pranohet ndonjë person që nuk i ka plotësuar kushtet për ekzaminer.  E njëjta poashtu theksoi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në polici me datë 8 gusht 2018.

Dëshmitarja e tretë F.K, si Kordinatore e Njësisë së Patent Shoferit në Prishtinë, në pyetjet e prokurorit Munishi deklaroi se nuk ka ndërhyrë asnjëherë si udhëheqëse në punën e pyetësve për të kaluar testin teorik.

Ndërsa për të akuzuarin Pjetër Ndou theksoi se i kujtohet një rast kur e ka thirr të i jap sqarime ndokujt nëse ka nevojë, mirëpo jo me emër konkret.

Tutje, në vazhdim të seancës u administruan edhe provat materiale, si dhe paraqitën mbrojtjen dy të akuzuarit Kadri Krasniqi dhe Nebih Shatri.

Në paraqitjen e mbrojtjes së Kadri Krasniqi, deklaroi se nuk ka pasur planifikim paraprak sa i përket lajmërimeve, lajmërimet janë bërë gjatë vitit 2018.

Seanca e radhës do të mbahet me datë 13 korrik 2024, nga ora 13:10.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 nëntor 2020 nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Nebih Shatri dhe Kadri Krasniqi ngarkohen se si persona zyrtar, në bashkëkryerje me qëllim që të tjerët të përfitojnë e duke e shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare kanë tejkaluar kompetencat, përkatësisht nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, Shatri duke qenë në pozitën e u.d. Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), në kundërshtim me nenin 21 pika 2 të Udhëzimit Administrativ  nr. 08/2016 nuk ka lidhur kontratat pune me pyetësit e angazhuar A.B, L.L, B.P, A,R, A.Sh, S.S, E.B, B.B, M.B, V.K, L.A, F.F,  D.B, E.K, S.K, I.K, H.S, S.K, A.G, V.B, ashtu që ka lejuar që të njëjtit të punojnë gjatë vitit 2017 dhe 2018, në Njësitë Rajonale për Patentë Shoferë në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.

Ndërkaq, në aktakuzë thuhet se Krasniqi duke qenë në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Automjeteve në MI, me dijeninë e të akuzuarit Shatri, gjatë vitit 2017 dhe 2018 ka lejuar hapjen e konkursit për provim për licencim për pyetës teorik për patentë shoferë, pa asnjë planifikim paraprak, ka licencuar pyetës në njësit rajonale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në kundërshtim me nenin 4 pika 1.6 të Udhëzimit Administrativ nr.08/2016, nuk ka bërë verifikimin e pyetësve, kështu që ka licencuar L.A, E.B, A.Sh, S.S, L.A, F.F, B.B, F.B, E.H, H.T, R.C, E.K, I.K, A.M, D.B, V.B, F.Ç, F.Q.

Gjithmonë sipas aktakuzës thuhet se Krasniqi në kundërshtim me nenin 1.7 të njëjtit Udhëzim, ka licencuar S.K. G.K, dhe V.L, me ç’ rast të akuzuarit Shatri dhe Krasniqi i kanë shkaktuar dëm në shkallë të madhe Buxhetit të Kosovës, dhe ngarkohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në dipozitivin e dytë të aktakuzës, Pjetër Ndou ngarkohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë e me qëllim të përfitimit në të tjerëve, duke qenë në pozitën e këshilltarit politik në MI në vazhdimësi ka ushtruar ndikim tek zyrtarët e të njëjtës ministri, për dhënien e provimit të testit teorik për patentë shofer, punësim dhe tender.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ndou në kundërshtim me pozitën e tij zyrtare ka ndikuar në komisionin përzgjedhës për ekzaminer, gjerësisht tek kryetari i komisionit-dëshmitari Mirdit Emini se si të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për ekzaminer, meqë rast Prokuroria e ngarkon Ndou se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter