|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet eksperti financiar në rastin ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Integrimit Evropian të akuzuar për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Dhurata Hoxha, Fitim Mustafa, Ekrem Tahiri dhe Gëzim Dushi ish-zyrtarë të MIE, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili, theksoi se pas propozimit nga mbrojtja, përkatësishtë av. Driton Muharremi si dhe kundërshtimeve të dhëna nga ana e Prokurorës Speciale, Ilirjana Çollaku që në seancën e sotme të dëgjohet eksperti financiar, trupi gjykues e aprovoi këtë propozim dhe seanca vazhdoi me dëgjimin e tij.

Në vazhdim, eksperti financiar, nga pytjet e av. Driton Muharremi, theksoi se pasi që ka analizuar shkresat e lëndës si dhe pjesët tjera të dokumentacionit dhe deri tek përpilimi i ekspertizës ka konstatuar se vlera e kontratës ishte 881.389.20 Euro, e vitit 2019, dhe ka vërjetur se ka qenë e lejuar të devijohet cmimi për-rreth 30%.

Tutje, ai shtoi se buxheti me rastin konkret nuk është dëmtuar, sepse sipas tij, është vepruar me të drejtë me rastin e informimit në portale, kështu është shpenzuar vetëm 1/3 e buxhetit dhe me këtë rast nuk ka dëmtim të buxhetit të shtetit.

Ndërsa, lidhur me implementimin në kundërshtim me kontratë dhe blerja në 17 portale dhe jo në 50 për blerjen e hapsirave mediale, eksperti theksoi se kjo kontratë kishte kohë edhe për dy vite që të implementohet dhe kjo nuk paraqet ndonjë kundërshtim me zbatimin e kontratës. Lidhur me këtë konstatim, ai shtoi se afati kohor për përmbushje kishte qenë data 10 Korrik 2022, dhe kjo nënkupton se ka pasur kohë më tepër se dy vite.

Kurse, lidhur me blerjen e hapsirës mediale konform kontratës, eksperti theksoi se duke u bazuar në materialin e lartëcekur, kjo veprimtari ka qenë vetëm për blerjet për Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Sipas kontratës, OE ‘Pr Solutions’, kishte për detyrë vetëm vendosjen e banerëve, ndërsa detyrat tjera ishin në përgjegjësi të Ministrisë përkatëse.

Tutje, eksperti shtoi se, në faturat e bashkangjitura për punët e kryera nga Operatori Ekonomik, për Komisionin e Ministrisë, eksperti theksoi se përgjatë analizimin të dosjes nuk kishte vërejtur në ndonjë foto apo baner, të cilat ishin të sponzoruar për ndonjë parti politike apo për zgjedhje.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fitim Mustafa, av. Arbër Jashari, në pyetjen për ekspertin lidhur me periudhën e ekzaminimit të kohës kur janë zhvilluar procedurat tenderuese, edhe pse eksperti nuk e ka përpiluar kontratën për atë kohë, por vetëm pas kontratës, se a ka hasur në ndonjë parregullsi në procedurat tenderuese, lidhur me këtë pytje, eksperti theksoi se, pasi detyrat e tij ishin konkretishtë të caktuara, ai nuk është lëshuar në procedurat e prokurimit, dhe me këtë do të kalonte detyrat e tij.

Në pytjet e Prokurorës Speciale, Ilirjana Çollaku, eksperti theksoi se, për rastin të cilin e ka përgaditur ekspertizën nuk i është dashur të konsultonte Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimin Administrativ.

Tutje, lidhur me shkeljet në një ekspertizë, se ku mund të vërehet se ka pasur apo ajo shkelje, eksperti shtoi se kjo vërehet tek analizimi i shumës së kontraktuar, afatet e përmbushjes si dhe procesi se si ka ardhur tek një vlerë financiare.

Kurse, sa i përket, cështjes së përpilimit të ekspertizës, eksperti theksoi se në ekspertizë nuk ka bërë interpretim ligjor, por vetëm ka bërë listimin e të gjeturave nga analizat e bëra.

Ndërsa, lidhur me konstatimin e tij në ekspertizë për tre fatura, ai theksoi se të gjitha janë konform kontratës, dhe shtoi se përgjatë analizimin të materialit nuk ka vërejtur se OE, ka tejkaluar punët për shërbimet e kryera, në blerjen e hapsirave mediale.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili, njoftoi se pasi që është afër përfundimi i punës së Gjykatës, shqyrtimi i sotëm duhet të ndërpritet.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë: 08 Korrik dhe nga ora 09:30.

Kujtojmë se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ish ministrja Hoxha po akuzohet se ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik “Pr Solution”, e cila kishte për qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim- asocimit, ndërsa e akuzuara Hoxha këtë e ka shfrytëzuar që të bëj promovimin e fushatës së saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të tetorit të vitit 2019 dhe se promovimi ishte realizuar duke publikuar banerët dhe videot të cilat lidheshin me fushatën zgjedhore të të akuzuarës Hoxha, e që ishte në kundërshtim me kushtet e kësaj kontrate.

Ish Ministrja Hoxha akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, i pandehuri Fitim Mustafa, po akuzohet se si zyrtar në Prokurorim të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke vendosur kritere shtesë ndaj Operatorëve Ekonomik, në mënyrë që të shpërbëhej Operatori Ekonomik “PR Solution”. Ndërsa i akuzuari Ekrem Tahiri akuzohet se në cilësinë e bashkëpronarit të operatorit ekonomik “PR Solution” nuk kishte kryer punët e kontraktuara sipas kontratës, mirëpo i njëjti kishte kryer shërbime të cilat nuk ishin në pajtim me kushtet e kontratës dhe se me këtë ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Në fund i akuzuari Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, duke qenë menaxher i kontratës “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate.

I akuzuari Gëzim Dushi akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa tëvërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter