Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj pesë të akuzuarve, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj. për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Marrje ryshfeti’, ‘Dhënie ryshfeti’ dhe ‘Mashtrim me subvencione’.
Fillimisht në seancën e sotme u fillua paraqitja e mbrojtjes së të akuzuarve, duke marrë parasysh që ky rast ishte afër përfundimit, mirëpo seanca e sotme u ndërpre për shkak të kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit Luan Statovci, avokatit Naim Rudari, i cili kërkoi përjashtimin e trupit gjykues në tërësi.
Shkak i kërkesës së përjashtimit të trupit gjykues sipas mbrojtësit të të akuzuarit Statovci ishte se prokurori special Rafet Halimaj është ftuar në zyrën e kryetares së trupit gjykues për konsultim lidhur me çështje të rastit dhe se kjo paraqet shkelje të të drejtave të të pandehurit dhe vë në pikëpyetje paanësinë e kryetares së trupit gjykues.
Mbrojtësi Rudari deklaroi se për këtë ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë këtë dhe të cilat do ja paraqesin kryetares së Gjykatës Themelore.
Ndërsa prokurori special Halimaj mohoi pretendimin e mbrojtjes se ka qenë i ftuar në zyre.
Tutje, para kërkesës për përjashtim, vetëm i akuzuari Luan Statovci arriti ta paraqes një pjesë të mbrojtjes së tij, por i cili nuk u përgjigj në pyetjet e prokurorit Halimaj lidhur me SMS-ët e nxjerr nga telefoni i tij, me udhëzimin e mbrojtësit Rudari, i cili deklaroi se këta SMS-ë janë marrë në mënyrë të kundërligjshme nga Prokuroria Speciale.
Ndërsa në pyetjet e mbrojtësit të tij, i akuzuari mohoi të jetë i përfshirë në këtë rast dhe të ketë marrë ryshfet ndonjëherë nga palët, duke deklaruar se nuk ka pasur përgjegjësi direkte, as për refuzim e as për aprovim të aplikacioneve të fermerëve.
Për shkak të kërkesës për përjashtim të trupit gjykues, u anulua edhe seanca e datës 11 qershor 2024.
Sipas aktakuzës si të akuzuar janë Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për Keqpërdorim të detyrës zyrtare, Marrje ryshfeti, Dhënie ryshfeti, Mashtrim me subvencione dhe Ushtrim ndikimi.
Më 15 mars 2023, pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj gjashtë të akuzuarve Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Dukagjin Deda, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi dhe Ramadan Zeqiraj, të akuzuar për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, në rastin “Subvencionet II”, duke i dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Kurse në seancën e 13 marsit 2023, të akuzuarit Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hazir Metaj, kishin pranuar fajësinë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, por jo edhe për veprën penale “Mashtrim me subvencione”. Pranimin e fajësisë për këtë vepër Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga e kishin bërë në seancën e datës 23 qershor 2023, pasi që aktakuza ishte konsideruar e lexuar.
Ndërkaq, të akuzuarit Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hysni Morina, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.
Ndërsa, në seancën e datës 23 qershor 2023, Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hysni Morina të akuzuar për veprat penale “Dhënia ryshfeti” dhe “Mashtrim me Subvencione”, janë dënuar me 27 muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë.
Andaj Gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti