|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Me 12 janar fillon intervistimi i kandidatëve për gjyqtarë të gjykatave themelore

Nga data 12 janar 2023, do të fillojë intervistimi i 62 kandidatëve në konkursin për 37 gjyqtarë të gjykatave themelore, raporton “Drejtësia Sot”.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga ftesa e Komisionit Rekrutues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për monitorimin e këtij procesi.

Nga kjo ftesë bëhet e ditur se intervistat janë planifikuar të fillojnë nga kjo e enjte në objektin e KGJK-së.

Komisioni ka planifikuar që intervistat të realizohen nga ora 08:00 deri në ora 16:00, dhe brenda ditës pritet të intervistohen deri në 6 kandidatë.

“Për KGJK-në është shumë e rëndësishme që procesi të jetë krejtësisht transparent, objektiv dhe i mbështetur në meritokraci, prandaj, ju fton që të monitoroni procesin e intervistimit të kandidatëve nga data 12 janar 2023, deri në përfundimin e këtij procesi respektivisht deri në rekomandimin e kandidatëve për dekretim”- thuhet në ftesën e KGJK-së.

Kujtojmë që në fazën e intervistimit do të marrin pjesë vetëm kandidatët që i kanë kaluar me sukses testin kualifikues dhe atë më shkrim, si dhe katër kandidatë të tjerë të cilët e kanë përfunduar provimin dhe trajnimin fillestar në kuadër të ish-Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Listën përfundimtare të 62 kandidatëve që e kanë fituar të drejtën për të vazhduar në procesin për rekrutim të 37 gjyqtarëve e gjeni KËTU.

Kujtojmë se në rezultatet preliminare të publikuara në ueb faqen e KGJK-së, nga 265 kandidatë, 58 prej tyre e kishin kaluar me sukses këtë fazë ndërsa 207 nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë prej 39 nga 66 pikët e mundshme.

Pas publikimit të rezultateve preliminare, “Drejtësia Sot” raporton se të drejtën e ankesës e kanë shfrytëzuar 52 kandidatë, mirëpo asnjëra nga këto ankesa nuk është aprovuar nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave.

Ndryshe, përveç 58 kandidatëve që e kanë kaluar me sukses fazën e testit me shkrim, në listën përfundimtare janë përfshirë edhe katër kandidatë të tjerë të cilët e kanë përfunduar provimin dhe trajnimin fillestar në kuadër të ish-Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Kujtojmë që testi me shkrim për gjyqtarë ishte mbajtur më datë 22 tetor në lëminë civile dhe më 23 tetor në lëminë penale.

Të drejtën për t’iu nënshtruar testit me shkrim e kishin 278 kandidatë që e kishin kaluar testin kualifikues, por vetëm 265 prej tyre kishin qenë pjesë të testimit në detyrën e lëmisë penale dhe civile.

Komisioni për rekrutimin e 37 gjyqtarëve të rinj është i përbërë nga pesë anëtarë të rregullt dhe dy rezervë, dhe i njëjti udhëhiqet nga Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.

GLPS/Drejtësia Sot është duke e monitoruar dhe raporton në vazhdimësi lidhur me këtë konkurs, link:  https://www.rolpik.org/publikohet-lista-perfundimtare-e-kandidateve-per-gjyqtare-te-gjykatave-themelore/

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter