Ruzhdi Halili dhe Fisnik Rexhepi u dëgjuan sot në cilësinë e dëshmitarëve në gjykimin për korrupsion ndaj zyrtares së BE-së, Albina Nura.
“Drejtësia Sot” raporton se dëgjimi i këtyre dy dëshmitarëve është bërë pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë Speciale në Prishtinë, e akuzuara Albina Nura akuzohet se si zyrtare për reforma të administratës publike në zyrën e BE-së, ka kryer veprat penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit” dhe “Konflikt interesi”.
Këto vepra penale pretendohet nga prokuroria se i ka kryer duke manipuluar me kontrata të tenderimit.
Dëshmitari Ruzhdi Halili në pyetjet e prokurorit special Naim Abazi, ka deklaruar se deri sa ka qenë drejtori i zyrës për planifikim strategjik në kuadër të zyrës së kryeministrit, ka qenë pjesë e komisionit vlerësues për projektin e BE-së me titullin “mbështetjet për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës”.
Tutje, ai tha se tani e akuzuara Nura në këtë projekt ka pasur pozitën e anëtares së komisionit vlerësues.
Ndërsa i pyetur se a ka qenë e mundur që e akuzuar Nura ta ketë rritur vlerën e projektit, i njëjti ka deklaruar se nuk e beson që ka qenë e mundur që një anëtar i komisionit të ndikoj aq shumë sa ta përmbysë rezultatin e tre-katër anëtareve tjerë.
Po ashtu në këtë gjykim është dëgjuar edhe dëshmitari Fisnik Rexhepi, i cili në kohën kur ka ndodhur rasti ka qenë në pozitën e këshilltarit në kuadër të ministrisë.
Lidhur me projektin e BE-së me titullin “mbështetjet për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës”, ka thënë se në ka qenë i angazhuar si konsulent i ministrisë dhe se ka njohuri të pjesshëm por jo të plotë për këtë projekt.
I pyetur nëse e akuzuar Nura e ka ftuar në punë apo ka ndjekur tjetër procedurë deri sa ka ardhur tek ky angazhim, ai ka deklaruar se çdo gjë ka qenë në mënyrë zyrtare.
Pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve, kryetari trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli e ka ndërprerë seancën, ndërsa të radhës e ka shtyrë për afat të pacaktuar.
Ndryshe, fillimisht në këtë seancë mbrojtësi të akuzuarës Nura, avokati Kujtim Kërveshi ka propozuar që të verifikohet autorizimi i mbrojtësit të palës së dëmtuar përmes zyrës së BE-së, i cili propozim është aprovuar nga trupi gjykues.
Ndryshe, sipas dispozitivit të parë të aktakuzës pretendohet se më datë 13 tetor 2013, gjatë implementimit të tenderit sipas projektit “Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjit të Kosovës – EuropeAid/ 133790/C/SER/XK”, e akuzuara në mënyrë të kundërligjshme ka zgjatur kontratën e projektit edhe për 3 muaj shtesë, dhe me këtë zgjatje vlera e kontratës është rriturr për 500 mijë euro, vlerë me të cilën i është shkaktuar dëm buxhetit të BE-së.
Tutje, në këtë dispozitiv thuhet se e akuzuara kishte angashuar si ekspertë junior disa punonjës nga stafi i shërbyesve civil dhe stafi tjetër i Administratës Publike të Kosovës, duke e ditur se të njejtit ishin zyrtar publik dhe angazhimi i tyre ishte në kundërshtim me kushtet e kontratës.
Për më tepër, në mes të datës 17 dhe 18 Qershor 2014 me aktakuzë pretendohet se përderisa e akuzuara kishte qenë duke zëvendësuar kolegen e saj ajo kishte mundësuar vazhdimin e angazhimit të ekspertit R.D. edhe për 205 ditë shtesë duke shkaktuar rreth 25% shpenzime shtesë nga buxheti i ndarë për ekspertë jo kyç. Me këto veprime prokuroria ka akuzuar të pandehurën [ër veprën penlë “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par. 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së (Kodi Nr.04/L082).
Ndërsa, në dispozitivin e dytë të kësaj aktakuze thuhet se gjatë procesit të vlerësimit të projektit “Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjit të Kosovës – EuropeAid/ 133790/C/SER/XK”, ka vendosur që oferta e konzorciumit në krye me “Corporate & Public Management Consulting Group” (CPM) të vlerësohej me pikët më të larta. Pjesë e këtij konzorciumi kishte qenë edhe kompania “ Strategy & Development Consulting” (SSD) me pronar R.D. i cili gjatë vitit 2011 kishte punuar së bashku me të pandehurën. SSD kishte fituar projektin.
Me këto veprime nga dispozitivi i dytë, e pandehura akuzohet se ka kryer veprën penale “Konflikt Interesi” nga neni 424, par.2 lidhur me par. 1 të KPRK-ës.