Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës lidhur me dënimin me burgim prej 24 vitesh ndaj Granit Elshanit, i akuzuar për vrasjen e Besart Shabit dhe plagosjen e Valdet Kelmendit me 2 janar 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë.
Në vendimin e siguruar nga “Drejtësia Sot”, që mban datën 29 shtator 2022, gjykata e shkallës së dytë i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e PSRK-së dhe mbrojtësve Kosovare Kelmendi dhe Bujar Bërdynaj, të ushtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë.
Apeli vlerësoi se në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë të datës 14 mars 2022, të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari, dhe gjatë zhvillimit procedurës nuk janë evidentuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe as në dëm të pandehurit nuk është shkelur ligji penal, për të cilat kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare.
Apeli, përmes trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtari Burim Ademi, vlerësoi se shkalla e parë e ka vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendjen faktike dhe në bazë të kësaj është aplikuar drejtë edhe ligji penal.
Për dënimin e shqiptuar nga themelorja, Apeli thekson se ajo i ka vlerësuar të gjitha rrethanat e përgjithshme dhe të veçanta, lehtësuese dhe rënduese të cilat referohen në matjen e llojit dhe lartësisë së sanksionit penal ndaj të pandehurit Granit Elshani.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur
Aktakuza e ngritur më 25 nëntor 2016, ngarkon të pandehurin Granit Elshani për tri vepra penale “Vrasje e rëndë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose përdorim i paautorizuar i armëve”.
“Drejtësia Sot” ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast: https://www.rolpik.org/denohet-me-24-vite-burgim-granit-elshani-i-akuzuar-per-vrasjen-ne-diskoteken-city-club-te-pejes/