|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Propozohet administrimi i provave të reja në rastin “Gylenistët”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe sot ka vazhduar gjykimi në rastin “Gylenistët”, ku të akuzuar janë ish-drejtori të AKI-së, Driton Gashi, bashkë me Valon Krasniqin e Rrahman Sylejmanin.

Drejtësia Sot” raporton se Gashi, Krasniqi e Sylejmani po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, gjatë vitit 2018.

Gjatë shqyrtimit të sotëm gjyqësor, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Urim Vokshi, ka propozuar në këtë rast që në publik njihet si “Gylenistët” të administrohen prova të reja.

Ndër propozimet të cilat u aprovuan nga trupi gjykues janë dosjet e materialeve të pranuara nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, nga Avokati i Popullit, nga Policia e Kosovës- Drejtoria pë Migrim dhe të Huaj, nga Ministria e Infrastrukturës, nga Ministria e Drejtësisë, dëshmitë e dëshmitarëve të intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar e të tjera.

Ndërsa ato të cilat u refuzuan janë dosja e materialeve të pranuar nga AKI-ja me arsyetim se e njëjta është e mbrojtur me Ligjin për Agjensinë e Kosovës për Inteligjencë dhe shkresa e Kryeministrit e datës 01.03.2018.

Po ashtu prova për administrim u propozuan edhe nga mbrojtësi i të pandehurit Rrahman Sylejmani, avokati Flakron Sylejmani nga të cilat gjykata ka refuzuar propozimin për dëgjimin e dëshmitarit, zyrtarit të AKI-së, në bazë të vendimit të mëparshëm të gjykatës.

Ndërsa disa ndër provat të propozuara nga i njëjti, të cilat janë aprovuar nga trupi gjykues janë raporti zyrtar informues lidhur me depërtimin e shtetasve turk, rregullorja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, raporti operacional etj.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar për datat 21 shkurt, dhe 20 e 21 mars 2023.

Sipas aktakuzës, Driton Gashi, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Agiensionit Kosovar të Inteligjencës (AKI), prej datës 23.03.2018, e gjer më dt.29.03.2018, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Huseyin Demir dhe Mustafa Erdem, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakaya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, ti dëboj me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe dorëzoj autoriteteve turke, keqpërdori detyrën zyrtare.

Ndërsa, të akuzuarit Rrahman Sylejmani, Drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj (DMH) në MPB, i rekomandoj nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

I njëjti për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI.

Sipas PSRK-së, Driton Gashi, ka tejkaluar poashtu kompetencat duke përfshi AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejtë në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Pika II e aktakuzës ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi, se në periudhën kohore prej dt. 23.03.2018 dhe gjer më dt. 29.03.2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave – shtetasve turq të lartcekur dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligi për Osman Karakaya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo procedurë me vendim të formës së prerë.

Po ashtu, i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Ndërsa në pikën III të akuzës, akuzohet Rrahman Sylejmani, i cili si person zyrtar, Drejtori Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj (DMH), pranë MPB, me dt. 29.03.2018, ka tejkaluar kompetencat zyrtare në atë mënyrë që ka nxjerrë gjashtë urdhra për dëbim me forcë të shtetasve turq, të lartcekur, në bazë të nenit 99 par.1 të Ligjit për të Huaj, që nuk ishte fare në kompetencë të DMH-së që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM-it, ndërsa urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97 par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97 par. 8 i të njëjtit ligj.

 I njëjti po ashtu ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtoj të dëmtuarin Hasan Huseyin Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij. E me këto veprime akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.

Më tutje Rrahman Sylejmani, akuzohet se si person zyrtar, gjatë muajit mars të vitit 2018 në shkollat “Mehmet Akif“, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoi kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e lartcekur pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29 par. 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13 par. 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Kurse me veprimet e fundit të njëjtit i vihet në barrë vepra penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196 të KPK-së./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter