Gjykata Themelore Në Prizren sot ka shpallur aktgjykim lirues ndaj shtatë ish-zyrtarëve të komunës së Prizrenit të akuzuar për korrupsion, në rastin që njihet në publik si “Infrakos”.
“Drejtësia Sot” raporton se në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohen Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqi, Agron Thaqi dhe Naim Avdyli.
Në shpalljen e aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Teuta Krusha, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se gjashtë të akuzuarit e parë kanë kryer veprën penale për të cilën ata akuzohen.
Ndërsa për të pandehurin Naim Avdyli, gjykata mori aktgjykim refuzues për shkak se ndaj të njëjtit Prokurori i rastit Genc Nixha ishte tërhequr nga ndjekja penale.
Të akuzuarit me këtë aktgjykim janë liruar edhe nga shpenzimet gjyqësore, ndërsa për palën e pakënaqur me vendimin, gjykata i ka bërë me dije se kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Gjatë arsyetimit të këtij aktgjykimi, gjyqtarja Krusha theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor gjykata gjeti se të akuzaurit, Sadik Paqarizi, Visar Islamaj dhe Nijazi Kryeziu sa kanë qenë në pozitën e drejtorit gjatë punës së tyre kanë aplikuar Planin Rregullues Urban, andaj kishin lëshuar këto leje që janë objekt i akuzës, leje këto të cilat sipas gjyqtares Krusha i kishin kaluar të gjitha fazat e procedurës, duke shtuar faktin që dislokimi i hekurudhave është bërë më herët të njëjtit nuk e kanë pasur obligim i përmbahen Ligjit mbi Hekurudhat.
Sa i përket të akuzuarit Bujar Nerjovaj, në cilësinë e ish-Drejtor i Inspektoratit, sipas gjykatës ai nuk ka pasur të drejtë të shikojë ligjshmërinë e lejes së ndërtimit ashtu siç thirret prokurori i shtetit dhe se përmes inspektorëve të tij ai mundet vetëm të kërkojë ekzistimin apo mos ekzistimin e lejeve.
Tutje, për të akuzuarin Bashkim Krasniqi, gjyqtarja Krusha tha se i njëjti gjatë kohës së tij si inspektor i ndërtimtarisë ka vepruar në kuadër të kompetencave të veta.
Në fund për të akuzarin Agron Thaqi, ish-Kryeshef në “InfraKos” gjykata gjeti se i njëjti nuk ka mundur të parashtrojë menjëherë padi, pavarësisht faktit se kjo ndërmarrje duhet të ketë departamentet e veta dhe personat zyrtarë të cilët merren me përpilimin e padive dhe janë kompetentë për këtë çështje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 dhjetor 2019, ish-zyrtarët komunal të Prizrenit, Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqi, Agron Thaqi dhe Naim Avdyli, akuzoheshin për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Pretendimet e Prokurorisë ishin se të akuzuarit kanë shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturës së hekurudhës në Komunën e Prizrenit, duke e bërë të papërdorshme, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm kompanisë “INFRAKOS” rreth 105 mijë euro.
Kështu secili veç e veç ngarkoheshin me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”
Por, në fjalën e tij përfundimtare prokurori i shtetit, Genc Nixha ishte tërhequr nga aktakuza ndaj të pandehurit Naim Avdylit, me arsyetimin se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar fakti se i njëjti ka kryer vepër penale me të cilën ngarkohej./Drejtësia Sot