|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Degradimi në pozitë – Prokurori Ramiz Buzhala parashtron ankesë në Gjykatën Supreme

Prokurori Ramiz Buzhala ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin disiplinor që parasheh degradimin e tij në detyrë.

Lajmin për “Drejtësia Sot” e ka konfirmuar Gjykata Supreme e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se ankesën e prokurorit Buzhala e ka pranuar me 18 janar 2023.

Ndryshe, me 23 dhjetor 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) thuhet se ka marrë vendim me të cilin Ramiz Buzhala është degraduar nga prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjakovë në pozitën prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Ky vendim i KPK-së vie pas zhvillimit të procedurës disiplinore, ku Buzhala u gjet përgjegjës për shkelje disiplinore me rastin e shpërndarjes së pyetjeve nga testi me shkrim për bashkëpunëtorë profesional në sistemin prokurorial.

Ndërsa, prokurori në fjalë ka shfrytëzuar të drejtën që vendimin e KPK-së ta atakojë me ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Në bazë të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ankesa ndaj vendimit të Këshillit ka efekt suspensiv dhe ndalon implementimin e tij derisa të shqyrtohet ankesa.

Gjykata Supreme në një trup gjykues të përbërë nga tre anëtarë, të zgjedhur nga Kryetari i Gjykatës Supreme, brenda tridhjetë (30) ditëve, shqyrton dhe vendos lidhur me ankesën.  Pas shqyrtimit të ankesës, Gjykata Supreme mund të konfirmojë vendimin e Këshillit, ta ndryshojë atë, apo ta kthejë në Këshill për rishqyrtim.

Kujtojmë që lidhur me dyshimet e shpërndarjes së pyetjeve në konkursin për bashkëpunëtorë profesional nga ana e prokurorit Buzhala, KPK-ja me 14 korrik 2022, mori vendim për suspendimin e Buzhalës nga detyrat e tij si Kryeprokuror i Gjakovës, duke vendosur që gjatë periudhës sa do të zgjasë suspendimi të pranojë pagesë prej 50% të pagës së tij.

Në arsyetimin e vendimit KPK thekson se më datë 14 korrik 2022, nga Autoriteti Kompetent – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është pranuar kërkesa për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj Kryeprokurorit të suspenduar Ramiz Buzhala.

Në kërkesën e Autoritetit Kompetent thuhej se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, më datë 13 korrik 2022 ka shpërndarë pyetjet nga testi me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.

Shpërndarja e pyetjeve pretendohet se ishte bërë në ditën kur planifikohej të mbahej testimi i kandidatëve që kishin aplikuar për pozitën e bashkëpunëtorit profesional në Prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë.

Sipas Autoritetit Kompetent, Kryeprokurori Buzhala përmes aplikacionit Ëhats App, pyetjet e testit i kishte dërguar në adresë të gazetares së mediumit Kallxo.com, Adelina Ahmeti, dhe pastaj përmes komunikimit në telefon kishte kërkuar nga ajo që t’i fshij pyetje/mesazhet e dërguara, duke theksuar se ishin dërguar gabimisht tek ajo.

Veprimet e Kryeprokurorit të suspenduar janë cilësuar si shkelje disiplinore “Përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e Prokurorit të Shtetit ose që mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e Prokurorit të Shtetit.

Kujtojmë që përveç vendimit për suspendimin, në takimin e mbajtur më 14 korrik 2022, KPK kishte themeluar edhe panelin hetimor që do të trajtojë pretendimet e Autoritetit Kompetent për shkelje disiplinore te Kryeprokurorit të suspenduar, Ramiz Buzhala.

Ky panel, më 30 shtator 2022, kishte prezantuar para Këshillit marrëveshjen vullnetare të lidhur me prokurorin Buzhala, por që kjo marrëveshje është kundërshtuar nga anëtarët e KPK-së, të cilët kishin kërkuar që çështja të kthehej në rishqyrtim.

Ndërsa më 23 dhjetor 2022, anëtarët e KPK-së kishin votuar pro degradimit të Ramiz Buzhalës nga prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjakovë në pozitën prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Legjislacioni në fuqi parasheh se pas zhvillimit të hetimeve disiplinore nëse konstatohet që prokurori është përgjegjës për shkeljen disiplinore të pretenduar, ndaj tij mund të shqiptohen pesë lloje të masave disiplinore.

Kështu, prokurorëve përgjegjës për shkelje disiplinore KPK mund t’u shqiptojë një ose më shumë nga masat disiplinore: vërejtje jopublike me shkrim, vërejtje publike me shkrim, zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë deri në një (1) vit, transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët dhe propozimi për shkarkim.

GLPS/Drejtësia Sot po raporton në vazhdimësi lidhur me këtë çështje: https://www.rolpik.org/vetem-edhe-7-dite-afat-per-hetimin-disiplinor-ndaj-kryeprokurorit-buzhala/

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter