|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Gjykata aprovon propozimin për ekzaminim psikiatrik ndaj të akuzuarit Dardan Krivaça

Gjykata e Ferizajt sot ka aprovuar propozimin që të bëhet ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaçës, në mënyrë që të vërtetohet gjendja psiqike e tij në kohën e vrasjes dhe dhunimit të viktimës, Marigona Osmani.

Propozimin për ekzaminimin psikiatrik ndaj Krivaçës e ka bërë mbrojtësi i tij, avokati Admir Salihu.

Avokati Salihu ka thënë se ky ekzaminim është i nevojshëm me qëllim që të konstatohet se në kohën e kryerjes së veprës penale, i mbrojturi i tij a ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore apo të aftësisë së zvogëluar mendore, si dhe i njëjti a është i aftë për të përballuar gjykimin.

Ky propozim nuk është kundërshtuar nga prokurori i rastit Valdet Avdiu, ndërsa është aprovuar nga trupi gjykues.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Krasniqi e ka obliguar Institutin e Psikiatrisë Forenzike me detyrë që me rastin e ekzaminimit psikiatrik të të akuzuarit Krivaça, në konstatimin e tyre të shënohet natyra, lloji, shkalla, dhe kohëzgjatja e sëmundjes mendore e të njëjtit, llojin e ndikimit që kjo gjendje mendore ka pasur dhe ende ka në të kuptuarin dhe veprimet e tij, si dhe nëse ky çrregullim mendorë ka ekzistuar deri në çfarë shkalle në kohën e  kryerjes së veprës penale.

Po ashtu, është kërkuar nga ky Institut që të konstatohet se i akuzuari Krivaça në kohën e kryerjes së veprës penale a ka qenë në ndikimin e substancave narkotik.

Drejtësia Sot” raporton se bashkë me Dardan Krivaçën, lidhur me dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit në gusht të 2021-tës, akuzohet edhe Arbër Sejdiu.

Ndryshe, në seancën e sotme në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar mjeku i përgjithshëm Astrit Hoxha,  i cili e ka ekzaminuar të akuzuarin Krivaça gjatë seancës sw paraburgimit.

Hoxha ka deklaruar se me 25 gusht 2021 e kishte ekzaminuar gjendjen e përgjithshme shëndetësore të të akuzuarit Krivaça, kurse sa i përket gjendjes psiqike të tij tha se kishte kërkuar që lidhur me këtë të konsultohet një psikiatër.

Tutje, ai ka thënë se vetëm kishte dyshuar se i akuzuari Krivaça është nën ndikimin e substancave narkotike dhe atë duke u bazuar në raportin mjekësor të datës 24 gusht 2021, si edhe duke vlerësuar gjendjen psikologjike të rënduar të tij me datën 25 gusht 2021.

Pas të gjitha këtyre veprimeve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Krasniqi seancën e ka ndërprerë, ndërsa seanca e radhës është shtyrë për afat të pacaktuar, respektivisht deri në pranimin e raportit nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike.

Kujtojmë që më 28 qershor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.

Aktakuza ndaj Krivaçës dhe Sejdiut është ngritur lidhur me rastin e dhunimit dhe vrasjes së Marigona Osmanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, Krivaça dhe Sejdiu me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Po ashtu, për të pandehurin Dardan Krivaça ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Ndërsa i pandehuri Arbër Sejdiu me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaçës, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Drejtësia Sot raporton në vazhdimësi për këtë çështje penale, link: https://www.rolpik.org/dhunimi-dhe-vrasja-e-marigona-osmanit-deshmitari-jep-detaje-rreth-takimit-me-te-akuzuarin-krivaca/

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter