Komisioni Rekrutues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) edhe sot ka zhvilluar intervistat me kandidatët që synojnë njërën nga 37 pozitat për gjyqtarë të gjykatave themelore.
“Drejtësia Sot” raporton se procesi i intervistimit të kandidatëve për gjyqtarë ka filluar më 12 janar 2023 dhe deri më sot janë intervistuar 48 prej tyre, kurse të tjerët pritet të intervistohen gjatë ditëve në vazhdim.
Në këtë fazë të rekrutimit pritet të intervistohen 62 kandidatët të cilët kanë kaluar me sukses testin e parë kualifikues dhe testin me shkrim, ndër ta katër kandidatë të cilët e kanë përfunduar provimin dhe trajnimin fillestar në kuadër të ish-Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Në konkursin për rekrutimin e tridhjetë e shtatë (37) gjyqtarëve, shtatë (7) pozita janë të rezervuara për kandidatët e komunitetit serb.
Kujtojmë që në fazën e intervistimit do të marrin pjesë vetëm kandidatët që i kanë kaluar me sukses testin kualifikues dhe atë më shkrim, si dhe katër kandidatë të tjerë të cilët e kanë përfunduar provimin dhe trajnimin fillestar në kuadër të ish-Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Në rezultatet preliminare të publikuara në ueb faqen e KGJK-së, nga 265 kandidatë, 58 prej tyre e kishin kaluar me sukses këtë fazë ndërsa 207 nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë prej 39 nga 66 pikët e mundshme.
Pas publikimit të rezultateve preliminare, “Drejtësia Sot” raporton se të drejtën e ankesës e kanë shfrytëzuar 52 kandidatë, mirëpo asnjëra nga këto ankesa nuk është aprovuar nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave.
Ndryshe, përveç 58 kandidatëve që e kanë kaluar me sukses fazën e testit me shkrim, në listën përfundimtare janë përfshirë edhe katër kandidatë të tjerë të cilët e kanë përfunduar provimin dhe trajnimin fillestar në kuadër të ish-Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Kujtojmë që testi me shkrim për gjyqtarë ishte mbajtur më datë 22 tetor në lëminë civile dhe më 23 tetor në lëminë penale.
Të drejtën për t’iu nënshtruar testit me shkrim e kishin 278 kandidatë që e kishin kaluar testin kualifikues, por vetëm 265 prej tyre kishin qenë pjesë të testimit në detyrën e lëmisë penale dhe civile.
Komisioni për rekrutimin e 37 gjyqtarëve të rinj është i përbërë nga pesë anëtarë të rregullt dhe dy rezervë, dhe i njëjti udhëhiqet nga Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.
Listën përfundimtare të 62 kandidatëve që e kanë fituar të drejtën për të vazhduar në procesin për rekrutim të 37 gjyqtarëve, përkatësisht në fazën e intervistimit, e gjeni KËTU.
GLPS/Drejtësia Sot është duke e monitoruar fazën e intervistimit të kandidatëve dhe po raporton në vazhdimësi lidhur me këtë konkurs, link: https://www.rolpik.org/fillon-intervistimi-i-kandidateve-per-gjyqtare-te-gjykatave-themelore/