|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Anulohet vendimi për hudhjen e aktakuzës në rastin e dhunimit të 11-vjeçares

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka kthyer në rivendosje aktakuzën ndaj pesë personave që dyshohen se në muajin gusht 2022, kishin dhunuar një 11-vjeçare në Prishtinë.

Në komunikatën për media, kjo gjykatë theksoi se ka aprovuar si të bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, lidhur me hedhjen e aktakuzave nga Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për të Mitur.

Kësisoj, Apelit ka anuluar aktvendimet e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të datës 13 janar 2023, me të cilat ishte hudhur aktakuza dhe propozim akuza lidhur me rastin e dhunimit të 11 vjeçares.

Sipas kësaj komunikate, Gjykata e Apelit aktvendimet e gjykatës së shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave, respektivisht propozimit, i ka anuluar si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat shkelje kanë kushtëzuar që aktvendimi për hedhje të aktakuzave të anulohet dhe çështjet të kthehen në rivendosje.

Gjykata e Apelit aktvendimet e ankimuara i ka anuluar dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyetime të mjaftueshme ligjore me rastin e hedhjes së aktakuzave të lartcekura, ashtu që arsyet e gjykatës së shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave janë të paqarta dhe kundërthënëse në vetvete dhe në kundërshtim me bazën ligjore për hedhjen e aktakuzës.

Gjykata e Apelit këtë veprim e ka ndërmarrë pas shqyrtimit të shkresave të lëndëve, aktvendimeve ankimore dhe ankesave të Prokurorisë, por edhe sipas detyrës zyrtare.

Kujtojmë që Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, me 8 dhjetor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave të cilët ishin përshirë në rastin e muajit gusht të po atij viti, ku viktimë ishte një vajzë 11 vjeçare.

Kjo u bë e ditur nga komunikata për media e Prokurorisë, ku thuhet se aktakuza është ngritur pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhorë), si dhe ndaj tre të miturve, ku të gjithë aktualisht gjenden në paraburgim.

Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Trafikimi me njerëz”, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.

Po ashtu, njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, “Trafikimi me njerëz” dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”.

Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi” si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”.

Përveç kësaj, ndaj rastit tjetër penal ndaj të njëjtës viktimë që kishte ndodhur në muajin qershor 2022, Prokuroria njofton se është në proces të zhvillimit të hetimeve, duke i dhënë prioritet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.

“Drejtësia Sot” njofton se në raport me 11-vjeçaren janë zhvilluar dy raste të ndara nën dyshimin se ajo ishte viktimë e dhunimit në qershor dhe gusht të 2022-tës.

Deri më tani, në dy raste të ndara të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, janë arrestuar 13 persona dhe të njëjtëve Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit.

“Drejtësia Sot” raporton në vazhdimësi lidhur me këtë çështje penale, link: https://www.rolpik.org/dhunimi-i-vajzes-11-vjecare-prokuroria-ngrit-aktakuze-ndaj-pese-personave/

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter