Gjykata e Apelit ka vendosur që të lë në fuqi pezullimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në vendimin e siguruar nga “Drejtësia Sot”, Gjykata e Apelit me 19 janar 2023, ka refuzuar ankesën së Qeverisë së Kosovës, lidhur me pezullimin e vendimit të saj nga ana e gjykatës së shkallës së parë.
Kësisoj, Apeli ka theksuar se vendimi i Qeverisë, i marrë më 23 nëntor 2022, nuk do të ekzekutohet deri në vendimin përfundimtar lidhur me padinë e ushtruar nga Shoqata e Prokurorëve kundër Ekzekutivit.
Sipas gjykatës së Apelit, paditësja nëpërmjet provave të besueshme ka vërtetuar faktin se ekzekutimi i vendimit do t’i sillte dëm të pariparueshëm dhe se shtyrja e tillë nuk është në kundërshtim me interesat e publikut.
Këtë vlerësim gjykata e ka mbështetur në faktin se që nga viti 2017 deri në fund të vitit 2022, prokurorët dhe gjyqtarët kanë realizuar paga të njëjta dhe mbi bazën e atyre pagave kanë bërë planifikimet e ekonomisë familjare, dhe pjesa dërmuese e tyre kanë obligime ndaj institucioneve financiare.
Për më tepër, kjo i kontribuon ruajtjes së sistemit unitar dhe funksionimit normal të Institucioneve të Drejtësisë, në shërbim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në funksion të ushtrimit të funksioneve shtetërore.
Apeli ka konstatuar se pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve veçse ishin të planifikuara sipas Ligjit për ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Andaj, sipas gjykatës së shkallës së dytë, asnjë dëm nuk do t’i shkaktohej të paditurës – Qeverisë së Kosovës, e as qytetarëve të cilët pranojnë shërbimet e tyre të përditshme nga ana e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve.
Gjithashtu, Apeli ka refuzuar edhe pretendimin e Ekzekutivit se gjykata e shkallës së parë ka vepruar në situatë të konfliktit të interesit.
Lidhur me këtë, Kolegji i Apelit ka konsideruar se nuk ka mundur të vendos ndonjë gjykatë tjetër në territorin e Republikës së Kosovës, por vetëm Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative.
Këtë Apeli e ka arsyetuar me faktin se me dispozita ligjore parashihet se palët mund të kërkojnë përjashtimin vetëm të gjyqtarit që merr pjesë në procedurën e caktuar, e jo edhe përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve të gjykatës që do të mund të gjykonin në një kontest të caktuar.
Sipas vlerësimit të Apelit, aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, është i qartë dhe i kuptueshëm, proporcional dhe i bazuar në arsyetim të detajuar të plotësimit të kritereve të përcaktuara me dispozitat ligjore të LKA-së, të cilat i pranon edhe kjo gjykatë.
Drejtësia sot raporton në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Urata Gashi dhe Elza Tullari