Gjykata Themelore në Prizren sot ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj personit me inicialet F.K, i dyshuar për kanosjen e kryetarit të komunës, Shaqir Totaj.
“Drejtësia Sot” raporton se arsye e kësaj kanosje dyshohet të ishin mosmarrëveshjet paraprake në lidhje me një kontest pronësor mes të dyshuarit dhe komunës së Prizrenit.
Kësisoj, nga komunikata e gjykatës u bë e ditur se kanosja ndaj tani të dëmtuarit Totaj ishte serioze dhe në lidhje me punën e tij si kryetar i komunës së Prizrenit.
I pandehuri F.K., dyshohet se përmes një personi të tretë, i dërgon porosi djalit të të dëmtuarit me fjalët se “thuaj djalit të Kryetarit le ti thotë babës vet le të ndalet sepse nëse ai nuk ndalet edhe ma rrezon shtëpinë unë djalin e tij ose e rrahi ose e mys krejt”.
Me këto veprime, F.K, dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”, nga neni 181 par. 3, lidhur me par. 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës
Lidhur me vendimin për caktimin e paraburgimit, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
“Ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”- thuhet në fund të komunikatës së Gjykatës Themelore në Prizren.